5 ndeshjet e stinorit pranveror, Makedonija GJ.P e Bajramit kryeson renditjen!

Me ndeshjen e së hënës midis Renovës dhe Pelisterit u mbyll java e 24-të, që ishte njëherit xhiroja e 5-të në kuadër të stinorit pranveror, njofton “infOSport.mk”.

Kujtojmë FC Shkupi stinorin vjeshtorë e kishte mbyllur në pozitën e parë, ndërsa të njëjtën ndanë edhe pas 5 xhirove të para në pranverë.

Skuadra nga Çairi ka regjistruar 4 fitore dhe një barazim, njëjtë sikurse ka bërë edhe Makedonija GJ.P e Muharem Bajramit, që në 5 xhirot e para të pjesës së dytë të sezonit ka edhe gol-averazhin e njëjtë me skuadrën e Goce Sedlloskit.

Që të dyja këto skuadra nga kryeqendra jonë ndajnë pozitën e parë me nga 13 pikë, për të vijuar më pas Akademia Pandevi dhe Shkëndija që kanë tubuar nga 10 pikë.

Skuadra e Borecit është më e dobëta në këtë fillim sezoni të pranverës. Skuadra nga Velesi në 5 xhirot e para ka tubuar vetëm një pikë, ndërsa aspak mirë nuk qëndrojnë edhe dy skuadrat shqiptare, Renova dhe Struga Trim Lum.

Këta të fundit kanë regjistruar 1 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje, me ç’rast me vetëm 4 pikë renditen në pozitën e 9-të, ndërkohë Renova me 6 pikë mban pozitën e 8-të.

Deri në fund të sezonit 2021/2022 kanë mbetur edhe plotë 10 xhiro, ashtu që në lojë janë edhe 30 pikë, ndërsa FC Shkupi ka një epërsi komode drejt rrugëtimit për titullin e kampionit, njëjtë sikurse edhe Shkëndija për të siguruar Europën, ndërsa Struga Trim Lum dhe Renova do të duhet që sa më shpejtë të sigurojnë mbijetesën dhe vitin tjetër sërish të luajnë në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.

Ndryshe sa i përket renditjes së përgjithshme, FC Shkupi kryeson atë bindshëm me 55 pikë, 10 më shumë se Akademia Pandevi i vendit të dytë dhe 11 më shumë se Shkëndija, që aktualisht mban pozitën e tretë në tabelën e klasifikimit. (infOSport.mk)

Leave a Reply