Llapi nuk lëshon pe kur është në pyetje Kupa e Kosovës, mund edhe Dritën e Nuhiut

KF Llapi ka mbrojtur trofeun e Kupës së Kosovës, duke e dërguar atë në Podujeve edhe në edicionin 2021/2022, njofton “infOSport.mk”. Natën e kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Llapi i Tahir Batatinës mundi Dritën e Ardian Nuhiut me rezultatin 2:1, duke përsëritur kështu edhe njëherë tjetër suksesin e vitit të kaluar, me ç’rast kjo skuadër sërish do të luaj në garat europiane, njëjtë sikurse edhe Drita e Gjilanit.

Meksikani Francisko Rivera vetëm pas 6 minutave lojë kaloi në epërsi Llapin, mirëpo falë golit të Hamdi Namanit në minutën e 37-të, Drita barazoi shifrat, duke shkuar në pushim e qetë.

Megjithatë këtë qetësi të gjilanasve dhe “intelektualëve” të pranishëm në “Fadil Vokrri” e prishi Arbnor Ramadani, me golin e realizuar vetëm pas 3 minutave lojë në pjesën e dytë.

Edhe pse deri në mbyllje të takimit kishte edhe një pjesë të tërë për tu zhvilluar, Drita e Nuhiut nuk arriti që të barazojë shifrat, duke mos arritur që të përsëris suksesin e vitit 2001. Pra plotë 21 vite po ju mungon Kupa “intelektualëve”, të cilët me Nuhiun në krye shpresojnë të kenë një paraqitje sa më të denjtë në garat e Ligës së Konferencës, aty ku Kosovën do ta prezantojë edhe KF Llapi si dhe Gjilani, ndërkohë Ballkani nga Suhareka do të luaj në eliminatoret e Ligës së Kampionëve. (infOSport.mk)

Leave a Reply