Nga FC Shkupi te Tirana, Ballkani e Drita, ekipet shqiptare sot në Europë

Katër ekipe shqiptare zbresin sot në fushë në kuadër të kualifikueseve të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Konferencës.

Gjithçka nis nga ora 18:00 me ndeshjen Lincoln RED IMPS FC – FC Shkupi që zhvillohet në “Vicoria Stadium” në GJibraltar. Skuadra shqiptare nga Shkupi ka pasur një udhëtim të mundimshëm, mirëpo rezultati i ndeshjes së parë 3:0 në favor të tyre jep shumë shpresa se “bardheblutë” nga Çairi do vazhdojnë tutje.

Një fat të tillë shpresojmë të ketë edhe skuadra e Ballkanit që do të përballet me Zhalgirisin në Lituani.

Kampionët e Kosovës kanë barazuar 1:1 në Prishtinë dhe do kërkojnë kalimin në turin e dytë sot, mirëpo gjithnjë nëse arrijnë të shënojnë gol dhe të fitojnë takimin.

Në ora 20:00 vëmendjen më të madhe e merr Tirana, që do synojë përmbysjen në “Air Albania” ndaj Dudelanzh. Skuadra kampione e Luksemburgut në ndeshjen e parë të zhvilluar si vendas, kishte regjistruar fitore minimale 1:0, ashtu që Tirana duhet bërë më të mirën për të kaluar tutje në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve.

Në të njëjtën orë luan edhe Drita e Ardian Nuhiut, që pret finlandezët e Inter Turku. Dueli i parë mes tyre i zhvilluar në tokën finlandeze kishte përfunduar me epërsinë minimale të Inter Turku 1:0, ashtu që “intelektualët” sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të kërkojnë përmbysjen dhe kualifikimin në raundin e dytë të Ligës së Konferencës. (infOSport.mk)

Leave a Reply