FC Shkupi dhe Ballkani sonte takohen për herë të tretë mes tyre

FC Shkupi dhe Ballkani sot do të zhvillojnë ndeshjen e parë të “play-off” në kuadër të Ligës së Konferencës, njofton “infOSport.mk”. Do të jetë kjo hera e tretë që këto dy skuadra do të takohen mes tyre, por hera e parë që do të luajnë një ndeshje zyrtare, përmes së cilës do të kërkojnë që të shkruajnë historinë.

Mbetet të shihet se cila prej skuadrave sonte në Shkup do të fitojë betejën, pasi luftën e përgjithshme do ta zhvillojnë pas një jave në Prishtinë.

Sa u përket dy takimeve të deritanishme, që të dyja skuadrat kanë nga një fitore.

Ishte FC Shkupi që kishte mundur skuadrën nga Suhareka në miqësoren e parë të zhvilluar me 25 korrik të vitit 2018-të, ndërsa në miqësoren e dytë të zhvillular me 14 qershor të këtij viti, fituese doli skuadra kampione e Kosovës, Ballkani, që falë golave të shënuar nga Dellova dhe Berisha, kishte shënuar fitore 2:0.

Mbetet të shihet se kush do të triumfojë në ndeshjen e tretë, në të cilën presim që të dyja skuadrat të dhurojnë spektakël. (infOSport.mk)

Leave a Reply