Vashat e Maqedonisë mundin Letoninë falë golave të Andonova dhe Roçit

Përfaqësuesja A e femrave të Maqedonisë ka regjistruar fitoren e dytë në ciklin eliminatorë për kualifikim në Kampionatin Europian të vitit 2023.

Vashat e Maqedonisë të enjten në Shkup mundën Letoninë me rezultatin 3:2, e ku protgoniste dolën të jenë Natasha Andonova dhe Gentiana Roçi, raporton “infOSport.mk”.

Kapitenja Andonova realizoi dy gola në këtë ndeshje, derisa struganja Roçi shënoi golin e tretë dhe të sigurisë, pavarësisht se skuadra kundërshtare deri në mbyllje të takimit shënoi edhe një gol tjetër.

Ndryshe ishin letonezet që avansuan të parat në këtë përballje, falë golit të shënuar nga Anastasija Rocane që në minutën e 5-të.

Mirëpo nuk vonoi shumë dhe erdhi kundërpërgjigjja nga ana e të përzgjedhurave të trajnerit Kiril Izov, që me anë të Natasha Andonovas në minutën e 13-të barazuan shifrat.

Andonova shënoi edhe në minutën e 17-të, këtë herë nga penaltia, duke bërë që Maqedonia në pushim të shkojë me epërsinë e një goli, 2:1.

Roçi me një gol në minutën e 72-të zgjidhi çështjen fituesit, pasi në ato momente Maqedonia kishte dy gola epërsi, ndërsa gjithçka që arritën të bëjnë futbollistet mysafire, ishte goli i shënuar nga Olga Sevcova në minutën e 79-të.

Ishte kjo ndeshja e 9-të e vashave të Maqedonisë në kuadër të grupit “D” dhe vetëm fitorja e dytë, pas së cilës renditen në pozitën e 5-të me 6 pikë, duke lënë pas vetes vetëm Letoninë, derisa renditjen e kryeson Anglia me 24 pikë, para Austrisë së vendit të dytë që ka grumbulluar 19 pikë. (infOSport.mk)

Formacioni i përfaqësueses së Maqedonisë në konkurrencë të femrave:
Pançurova, Gjorgjievska, Nikolovska, Milçevska, Joshevska, Semsovic, Zivic, Andrevska, Andonova, Maksuti, Roçi;

Leave a Reply