Maqedonia dhe Shqipëria U17 barazojnë në një ndeshje me 6 gola në Strugë

Ndeshja e parë miqësore midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, të moshave deri në 17-vjeç, e zhvilluar në Srugë, është mbyllur me barazimin 3:3, njofton “infOSport.mk”. Doli të jetë kjo një ndeshje me shumë gola dhe me dy pjesë të ndryshme. Në të parën dominuan të përzgjedhurit e trajnerit Vujadin Stanojkoviq, duke e mbyllur të njëjtën me epërsinë 2:1.

Muhamed Elmas kaloi në epërsi Maqedoninë vetëm pas 2 minutave lojë. Nuk vonoi shumë dhe djemtë kuqezi në minutën e 14-të arritën barazimin.

Dejvi Metaj krosoi nga e majta, duke çuar topin brenda zonës kundërshtare, aty ku mjaft mirë u gjind Adi Kurti, i cili me kokë shënoi për 1:1.

Në minutën e 23-të arbitri i ndeshjes akordoi një 11-metërsh për përfaqësuesen e Maqedonisë, pasi mbrojtësi “kuqezi” Albo Koleci kishte luajtur me dorë.

Përgjegjësinë e ekzekutimit të kësaj penaltie e mori Andrej Velkov, i cili nuk gaboi dhe në ato momente kaloi sërish në epërsi Maqedoninë.

Me rezultatin 2:1 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në minutën e 74-të, Maqedonia përmes Altin Aliut shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e Dervishit.

Mirëpo pavarësisht këtij rezultati dhe epërsisë prej dy golave të kundërshtarit, të përzgjedhurit e trajnerit Ervin Bulku nuk u dorëzuan dhe zhvilluan super 20 minuta (bashkë me shtesën), duke shënuar dy gola dhe duke nxjerrë një barazim në fund nga kjo ndeshje në transfertë.

Golin e dytë për “kuqezinjtë” e realizoi sulmuesi Flavio Sulejmani, teksa në minutën e fundit të shtesës, pikërisht në të 94-tën, kapiteni Adi Kurti realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për këtë sfidë, me Shqipërinë që në fund barazoi 3:3 përballë Maqedonisë.

Këto dy përfaqësuese do të zhvillojnë edhe një miqësore tjetër, këtë herë me 14 shtator në “Elbasan Arena”.

Formacionet:
Maqedonia: Vrgov, Memishi, Velkov, Ljubevski, Stojkovski, Podgragja, Elmas, Jvanoviq, Aliu, Manjlov, Ajetoviq;
Shqipëria: Amarildo Dervishi (GK), Albi Koleci, Adi Kurti (C), Alion Damini, Egert Selmani, Klaus Kashari, Jordi Jaku, Glenis Belloj, Dejvi Metaj, Ariel Krajka, Devi Duro

Leave a Reply