Shqipëria U17 e Bulkut fiton pa probleme ndaj Maqedonisë së Stanojkoviq

Përfaqësuesja e Maqedonisë U17 të mërkurën në “Elbasan Arena” zhvilloi edhe miqësoren e dytë ndaj Kombëtares shqiptare, njofton “infOSport.mk”.
Ndryshe nga miqësorja e pak ditëve më parë që u zhvillua në Strugë, e që u mbyll me shifrat 3:3, këtë herë “kuqezinjtë” e rinj të drejtuar nga trajneri Ervin Bulku, shënuan fitore me rezultatin 2:0.

Kombëtarja shqiptare e nis mirë ndeshjen, duke gjetur edhe golin e avantazhit me anë të Flavio Sulejmanit që në minutën e 15-të.

Me këtë gol u mbyll pjesa e parë, edhe pse “kuqezinjtë” vazhdimisht dominuan këtë pjesë dhe në fund me meritë shkuan në pushim me avantazh.

Në pjesën e dytë të dy trajnerët bënë ca zëvendësime, ndërsa të përzgjedhurit e Bulkut vetëm pas 7 minutave të kaluara në këtë pjesë, sërish me anë të Flavio Sulejmanit, shënuan edhe golin e dytë.

Sfida duket sikur komplikohet me daljen me karton të kuq nga loja e Jordi Jakut, i cili merr kartonin e dytë të verdhë.

Gjithsesi, përfaqësuesja kuqezi arrin të menaxhojë lojën, madje i afrohet edhe golit të tretë me të zakonshmin Sulejmani, i cili godet traversën.

Shqipëria U-17 arrin të mbrojë rezultatin deri në fund, duke fituar 2:0 me protagonist kryesor Sulejmanin.

Formacionet:
Shqipëria: Amarildo Dervishi, Albi Koleci, Adi Kurti, Alion Damini, Egert Selmani, Klaus Kashari, Jordi Jaku, Dean Vranici, Dejvi Metaj, Ersi Bode, Flavio Sulejmani;
Maqedonia: Flakron Memishi, Andrej Velkov, Andrej Ljubevski, Nikolla Stojkovski, Almir Podgragja, Muhamed Elmas, Martin Jovanoviç, Altin Aliu, NikollaManojlov, Numan Ajetoviq, Amar Haxhibuliq;

Leave a Reply