Kosova “manita” ndaj Qipros, shkëlqen Vedat Muriqi

Përfaqësuesja e Kosovës e ka mbyllur me “manita” ciklin eliminatorë të Ligës së Kombeve në kuadër të Ligës “C”,  njofton “infOSport.mk”.

Në kuadër të grupit 2, Kosova shënoi fitore 5:1 përballë Qipros, e ku fjalën kryesore e pati sulmuesi i Majorkës, Vedat Muriqi, që realizoi dy gola, ndërsa asistoi edhe në dy gola të tjerë të shënuar nga bashkëlojtarët e tij.

Ndryshe ndeshja nisi me një tentativë të mysafirëve, por që shumë shpejtë “dardanët” morrën gjithçka në kontroll.

Goli i parë erdhi në minutën e 22-të, kur Florent Muslija përfitoi nga një devijim, dhe me një goditje maestrale nga brendia e zonës shënoi për 1:0. Ky gol ju dha krahë  futbollistëve të Zhires, të cilët vazhduan të dominojnë në tërësi ndeshjen, ndërsa në saje të një loje të tillë, në minutën e parë shtesë të pjesës së parë Kosova me anë të Donat Rrudhanit shënuan edhe golin e dytë.

Fillimi i pjesës së dytë ishte i shkëlqyer, teksa i pari që shënoi ishte Elbasan Rashani, edhe atë vetëm pas dy minutave lojë, kur i njëjti përfitoi nga një devijim i topit nga shtylla, e goditur nga ana e Vedat Muriqit.

Ky i fundit në minutën e 52-të gjeti rrjetën e mysafirëve, falë një pasimi të shkëlqyer të Florent Muslijës. Pasuan edhe shumë tentativa nga ana e “dardanëve”, por pa sukses, ashtu që në minutën e 81-të Qipro me anë të Roberge ngushtoi epërsinë e Kosovës në 4:1.

Megjithatë nuk vonoi shumë dhe ekipi “dardan” shënoi edhe golin e 5-të, sërish me autorë Vedat Muriqi, i cili këtë herë përfitoi nga një pasim milimetrik të Milot Rashicës.

Me këtë fitore, Kosova e mbylli në pozitën e dytë ciklin kualifikues të Ligës së Kombeve në grupin 2 të Ligës ”C”, aty ku vendi i parë u takoi grekëve me 15 pikë, 6 më shumë se “Dardanët”, derisa dy pozitat e fundit me nga 5 pikë u takuan Qipros dhe Irlandës së Veriut. (infOSport.mk)

Leave a Reply