Kampioni në fuqi kundër liderit aktual

E diela është e rezervuar për ndeshjen derbi të javës së 11-të në elitën e futbollit vendor midis FC Shkupit dhe Struga Trim Lum, njofton “infOSport.mk”.

Pra, skuadra kampione në fuqi, FC Shkupi, do të mirëpret liderin aktual, Struga Trim Lum, që do të tentojë që fazën e parë të garave në Ligën e Parë ta mbyll pa asnjë disfatë. Në 9 ndeshjet e deritanishme skuadra strugane ka regjistruar 8 fitore dhe vetëm një barazim, ndërkohë në anën tjetër FC Shkupi ka regjistruar 4 fitore, 3 barazime dhe 2 disfata.

Që të dy disfatat, FC Shkupi i ka pësuar në transfertë, ndërsa në Çair, dy skuadrat që kanë guxuar të marrin pikë, janë Pobeda (1:1) dhe Sileksi (0:0).

Mbetet të shihet nëse Struga Trim Lum do guxojë të marrë pikë në Çair, apo ndoshta FC Shkupi do kërkojë që të bëjë më interesant kampionatin me një fitore, që do i afronte ata në vetëm 7 pikë diferencë.

Kujtojmë Struga Trim Lum në vendin e parë numëron 25 pikë, derisa FC Shkupi aktualisht renditet në pozitën e 5-të me 15 pikë.

Super përballja, FC Shkupi – Struga Trim Lum në stadiumin e Çairit do të startojë në ora 14:00, ndërsa e njëjta do të drejtohet nga arbitri Aleksandar Stavrev. (infOSport.mk)

Leave a Reply