Ronaldo dhe Portugalia në festë, momente infarkti në sekondat e fundit për “luzitanët” (VIDEO)

Kampionja e Europës nga viti 2016-të, Portugalia, ka nisur me këmbë të mbarë ndeshjet në kuadër të Botërorit “Qatar 2022”, pasi në ndeshjen e saj të parë mundi Ganën me rezultatin 3:2, njofton “infOSport.mk”.

Pas një pjese të parë jo edhe shumë interesante, në të cilën Kristiano Ronaldo lëshoi një mundësi shumë të mirë, pas së cilës iu anulua goli, pjesa e dytë u shndërrua në një spektakël të vërtetë.

5 herë bartësi i “Topit të Artë”,  hapi rezultatin me golin e shënuar në minutën e 65-të nga penaltia, duke u bërë futbollisti i parë që shënon në 5 Botërore të ndryshme.

Mirëpo nuk vonoi shumë dhe Andrej Ajev në minutën e 73-të, solli simetri në rezultat. Ky gol si duket “nervozoi” dy yjet e Portugalisë, Xhoao Feliks dhe Rafael Leao, të cilët në një interval kohor prej vetëm dy minutash (78’,80’), shënuan dy gola të shpejtë, që në fund u treguan vendimtarë për fitoren e “luzitanëve”, pavarësisht golit të shënuar nga Osman Bukari në minutën e 89-të për Ganën, që në fund vleu vetëm për statistikë.

Portugalia arriti që të ruaj epërsinë 3:2, edhe pse sekondat e fundit ishin momente infarkti për portugezët, të cilët në sekondat e fundit pas një gabimi të mbrojtësit Diogo Kosta, mezi pastruan topin para vijës fatale.

Kujtojmë në ndeshjen e parë të grupit “H”, Uruguai dhe Koreja e Jugut barazuan pa gola, ashtu që Portugalia kryeson renditjen me 3 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply