Java e 16-të nis me derbin, Sileksi-Struga Trim Lum

Me ndeshjen e nesërme midis Sileksit dhe liderit aktual, Struga Trim Lum, edhe zyrtarisht starton java e 16-të në kampionatin elitar vendor, që kishte pauzë për shkak dy ndeshjeve kontrolluese të përfaqësueses futbollistike të vendit kundër Finlandës, gjegjësisht Azerbejxhanit, njofton “infOSport.mk”.

Ndeshja në fjalë do të zhvillohet në Kratovë, aty ku këto dy skuadra në tre ndeshjet e fundit kanë shënuar vetëm dy gola, duke regjistruar nga një fitore minimale 1:0 secila, derisa një ndeshje ishte mbyllur me barazim.

Mbetet të shihet nëse e njëjta nesër do na demantojë dhe do na dhurojë më shumë gola, kjo edhe për faktin se këtë edicion Struga Trim Lum ka liderin aktual në listën e golashënuesve, Besart Ibraimin, njëherit edhe golashënuesin më të mirë në historinë e futbollit elitar në vend.

Sa u përket përballjeve mes vete në kuadër të Ligës së Parë, tradita flet në anën e Struga Trim Lum, që ka regjistruar 4 fitore, kundrejt vetëm një fitore të Sileksit, derisa 2 ndeshje janë mbyllur baraz.

Struga Trim Lum doli fitues edhe në ndeshjen e parë të këtij sezoni të zhvilluar në Strugë, falë golave të shënuar nga Besart Ibraimi dhe Bunjamin Shabani, dyshja më efikase njëkohësisht te skuadra strugane, që beson shumë te kjo dyshe edhe për takimin e nesërm që starton në ora 13:00.

NDESHJET TJERA – Sa u përket ndeshjeve tjera, të njëjtat do të zhvillohen të dielën, ndërsa bie në sy ndeshja midis Shkëndijës dhe Tikveshit, kjo edhe për shkak renditjes momentale në tabelën e klasifikimit.

Shkëndija me 24 pikë mban pozitën e tretë, ndërkohë Tikveshi me dy pikë më pak renditet në vendin e 5-të. Mirëpo pavarësisht këtij fakti, Shkëndija llogaritet si favorit absolut për të marrë pikët e plota, njëjtë sikurse edhe FC Shkupi kundër Pobedës, ndërsa shumë paqartësi pritet të ketë në duelin mes skuadrave shkupjane, Rabotniçkit dhe Makedonija GJ.P.

Në përballjen e fundit të kësaj xhiroje, Skopje në lagjen e Hekuranës do të mirëpret Akademia Pandevin. E

Edhe ndeshjet e së dielës do të nisin në ora 13:00, ndërsa e lirë këtë xhiro do të jetë skuadra e Bregallnicës.

LPFMV – Java 16

Sileksi 26.11 (13:00h) Struga Trim Lum
Pobeda 27.11 (13:00h) FC Shkupi
Shkëndija 27.11 (13:00h) Tikveshi
Rabotniçki 27.11 (13:00h) Makedonija GJ.P
Skopje 27.11 (13:00h) Ak.Pandev
Bregallnica e lirë

Leave a Reply