Super lajm për Maqedoninë dhe Milevskin, Arijan Ademi do luaj në eliminatoret e Euro 2024

Njëri nga futbollistët më të mirë te përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, Arijan Ademi nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga ekipi përfaqësueses. Mesfushori shqiptar mungoi në ndeshjet e fundit për shkak të dëmtimeve, ndërsa kjo shkaktoi disa spekulime rreth të ardhmës së tij me përfaqësuesen e Maqedonisë.

Megjithatë Ademi në një intervistë për “Germaniak” ka treguar se historia e tij me përfaqësuesen e vendit nuk ka përfunduar ende.

“Vendosa të vazhdoj të luaj për ekipin përfaqësues. Unë dua, mundem dhe do të luaj. Kam folur me seleksionuesin, ai do që unë të jem aty dhe do të jem. Është e vështirë për mua të them lamtumirë, sepse atje është një grup i madh njerëzish, ne luajmë për vendin tonë, jemi kualifikuar në Kampionatin e fundit Evropian dhe duam ta bëjmë edhe një herë, edhe pse nuk jemi në një grup të lehtë ”, ka thënë Ademi, i cili foli edhe për ndeshjet eliminatore të Euro 2024, ku Maqedonia bënë pjesë në grupin “C”, së bashku me Italinë, Anglinë, Ukrainën dhe Maltën.

“Jemi të vetëdijshëm se nuk do të jetë e thjeshtë, por tashmë kemi mundur Gjermaninë, Italinë dhe nuk kemi nga kush të kemi frikë. E di që italianët do të jenë veçanërisht të motivuar kundër nesh sepse i kemi përjashtuar nga Botërori, por edhe ne do të jemi të motivuar dhe besojmë se mund të arrijmë një tjetër fitore të madhe”, ka thënë Ademi.

Kujtojmë eliminatoret për Kampionatin Europian të vitit 2024 nisin në muajin mars të këtij viti, ndërsa Maqedonia e Milevskit ndeshjen e parë do ta zhvillojë kundër Maltës me datë 23 në arenën “Todor Proeski” në Shkup.

Leave a Reply