Talenti shkupjan, Talha Idrizi nënshkruan me kampionët e Kosovës, Ballkanin

Talenti shkupjan, Talha Idrizi, edhe zyrtarisht është një futbollistë i ri i skuadrës kampione të Kosovës, Ballkani, informon “infOSport.mk”.

18-vjeçari Idrizi, i cili luan si mesfushorë qendre, por edhe krahu (të dy krahët), me skuadrën nga Suhareka ka nënshkruar kontratë deri me 30 qershor të vitit 2024, duke bërë kështu një hap shumë të rëndësishëm në karrierën e tij. Idrizi ishte pjesë e përgatitjeve dhe disa ndeshjeve të Ballkanit në Antalia të Turqisë, aty ku tregoi gjithë potencialin e tij, ndërsa pasi i kënaqur kishte mbetur edhe trajneri Ilir Daja bashkë me stafin e tij, drejtuesit e Ballkanit vendosën që ti ofrojnë kontratën këtij super talenti, i cili vitin e kaluar e kaloi në futbollin turk.

Ndërkohë drejtuesit e Ballkanit me qëllim që Idrizi të marrë atë përvojën e duhur dhe të ndjejë futbollin profesional në konkurencën e seniorëve, kanë vendosur që të huazojnë shkupjanin deri në fund të sezonit aktual te skuadra e njohur kosovare e Vllaznimit të Gjakovës, që aktualisht garon në Ligën e Parë të Kosovës.

Ndryshe Talha Idrizi është një produkt i shkollës së Rabotniçkit, te e cila skuadër kishte qëndruar gati 6 vite, për të kaluar më pas tek juniorët e Vardarit, me të cilët ishte shpallur kampion, ndërsa vlen të theksohet se i njëjti me këto dy skuadra kishte marrë edhe çmime individuale në disa turne të fuqishme ndërkombëtare.

Idrizi gjatë karrierës së tij, gjithashtu kishte provuar veten edhe me ekipin e të rinjëve të FC Shkupit, por edhe me seniorët e Gostivarit, ndërsa në vazhdimësi kishte qenë edhe pjesë e përfaqësueses U16, U17 dhe U18 të Maqedonisë. (infOSport.mk)

Leave a Reply