Drita e Gjilanit nis bisedimet me Egzon Bejtullain!

Pas largimeve të shumta, përfshirë këtu edhe atë të kapitenit Ardian Limani, drejtuesit e Dritës tashmë kanë filluar të mendojnë edhe për plotësimin e zbrastirave, njofton “infOSport.mk”.

Kështu vendin e lënë zbrazët në vijën e fundit të mbrojtjes, pas ikjes së kapitenit, Limani, ata duan ta zëvendësojnë me një super emër, atë të Egzon Bejtullait, kapitenit të deridjeshëm të Shkëndijës, i cili gjithashtu është në kërkim të sfidave të reja.

Siç mësojmë, tashmë palët kanë vënë edhe kontaktet e para, ndërsa ditëve në vijim pritet intensifikimi i tyre, kjo për shkakun se për shërbimet e reprezentuesit të Maqedonisë, interesim kanë shfaqur edhe dy skuadrat nga kryeqendra shqiptare, Tirana dhe Partizani. Madje këta të fundit e shohin Bejtullain si lider të ekipit për disa vite, duke i ofruar edhe shiritin e kapitenit, të cilin e mbante me shumë sukses edhe te Shkëndija, për të cilën skuadër në karrierën e tij ka zhvilluar mbi 300 ndeshje.

Përveç me Shkëndijën, Bejtullai kishte luajtur edhe me Teteksin në Maqedoni si dhe me Helsinborgun në Suedi, derisa për përfaqësuesen A të Maqedonisë, me të cilën luajti edhe në EURO 2020(1), i njëjti numëron plotë 25 paraqitje.

29-vjeçari Bejtullai është ftuar sërish nga sleksionuesi i Maqedonisë së Veriut, Bllagoja Milevski, për ndeshjet e qershorit kundër Ukrainës, gjegjësisht Anglisë. (infOSport.mk)

Leave a Reply