Zyrtare, Kosova shkarkon trajnerin francez, Alan Zhires

Alan Zhires është shkarkuar nga detyra e trajnerit të Përfaqësueses së Kosovës. Rezultatet negative në kualifikueset e Euro 2024, me vetëm tri pikë pas katër ndeshjeve (tri barazime, një humbje) në Grupin “I”, kanë ndikuar shumë negativisht te Dardanët, që lirisht mund të themi nuk janë vetëvetja.

Kështu, sot drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) kishin thirrur një mbledhje urgjente, në të cilën u vendos për shkarkimin e Alan Zhires, së bashku me ndihmësit e tij, Sebastien Bichard dhe David Le Goff.

Zhires morri drejtimin e Kosovës më 23 shkurt të vitit 2022, duke udhëhequr ekipin dardan në 14 ndeshje, me një bilanc prej 4 fitoresh, 6 barazimeve dhe 4 humbjeve.

Ndeshja e tij e parë ishte kundër Burkina Fasos më 24 mars të vitit të kaluar, të cilën Kosova e fitoi me rezultat të thellë 5:0, ndërsa ndeshja e fundit ishte ajo e mbrëmshmja kundër Bjellorusisë, në të cilën “Dardanët” pësuan humbje me rezultat të ngushtë 2:1.

Leave a Reply