Luan Abazi vazhdon kontratën me Will 1900

Anëtari i përfaqësueses shpresa të Maqedonisë, Luan Abazi, ka vazhduar kontratën me skuadrën e Will 1900, që garon në ligën e dytë të Zvicrës, ndryshe e njohur si “Challenge League”, njofton “infOSport.mk”.

Kontrata e tij ishte valide deri me 30 qershor të këtij viti, mirëpo duke pasur parasysh performancat dhe kualitetet që posedon ky djalosh, drejtuesit e Will 1900 menjëherë i kishin ofruar atij një kontratë të re, që do e mbajnë te kjo skuadër deri verën e vitit 2026.

21-vjeçari Abazi me ekipin e të rinjëve të Will 1900, edicionin e kaluar në 35 ndeshje realizoi 44 gola, ndërsa kjo ka bërë që i njëjti të marrë edhe besimin e trajnerit të ekipit të parë, Brunello, për të provuar vetën në 10 ndeshje në “Challenge League”.

Përveç kësaj, Abazi kishte provuar veten edhe në ndeshjet e Kupës së Zvicrës, aty ku i mjaftuan vetëm 9 minuta për të shënuar gol kundër skuadrës së FC Littau.

Kujtojmë, Abazi është edhe pjesë e përfaqësueses U21 të Maqedonisë, për të cilën në 7 ndeshje ka arritur të shënojë 3 gola. Ai formën e tij të shkëlqyer e dëshmoi edhe në dy ndeshjet e fundit kontrolluese, që përfaqësuesja shpresa e vendit tonë i zhvilloi gjatë këtij muaji kundër Armenisë dhe Maltës, në të cilat ndeshje, Abazi realizoi nga një gol.

Pikërisht grumbullimi i tij me përfaqësuesen e U21, kishte bërë që Abazi ti bashkohet skuadrës së Will 1900 vetëm dy ditë pas fillimit të përgatitjeve për sezonin e ri. (infOSport.mk)

Leave a Reply