Matematikat, Shqipëria thuajse e kualifikuar në “Euro 2024”

Kombëtarja shqiptare e futbollit vijon të jetë në krye të grupit “E” kualifikues, i vlefshëm për Kampionatin Europian të vitit të ardhshëm që do të mbahet ne Gjermani.

Me 13 pikë, kuqezinjtë e Sylvinhos shohin pas vetes Çekinë që ka 11 pikë dhe Poloninë që ka 10 pikë. Në dy pozitat e fundit të grupit, renditen Moldavia me 9 pikë dhe Ishujt Faroe me vetëm 1 pikë.

Në këtë grup, Polonia dhe Ishujt Faroe kanë shtatë ndeshje të zhvilluara dhe vetëm një duel të mbetur deri në fund.

Kështu, sipas të gjitha përllogaritjeve një pikë e Shqipërisë kundër Moldavisë në transfertën e 17 nëntorit, do bënte që “kuqezinjtë” të ishin zyrtarisht në “Euro 2024” për fazën finale që zhvillohet verën që vjen.

Në kushtet kur fatet luhen për vendin e parë në grup, “kuqezinjtë” nuk do donin t’i linin gjë rastësisë, duke tentuar edhe vazon e parë në ndarjen e shortit që do hidhet me datë  2 dhjetor në Gjermani.

Veç pikës së shumë pritur kundër moldavëve, Shqipëria mund të kalojë më tej edhe nëse i humbet dy ndeshjet e radhës, kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe, gjithnjë nëse skuadra e Silvinjos ndaj Moldavisë do të humbiste me vetëm një gol, por gjithashtu ndeshjet Çeki – Moldavi si edhe Poloni – Çeki të përfundonin me barazim. Me këto rezultate, “kuqezinjtë” do ishin më sipër se kundërshtarët, për shkak të ndeshjeve direkte.

Kujtojmë ndaj Polonisë, kombëtarja shqiptare kishte fituar 2:0 në “Air Albania”, duke zhvlerësuar kështu golin e vetëm të polakëve në ndeshjen e parë.

Barazim 1:1 me Çekinë në transfertë, fitore e pastërt 3:0 në Tiranë, aty ku Shqipëria kishte regjistruar edhe një fitore tjetër 2:0 përballë Moldavisë.


Ndeshjet e mbetura në grupin “E”:

Moldavi – Shqipëri

Poloni – Çeki

Çeki – Moldavi

Shqipëri – Ishujt Faroe


 

Leave a Reply