Egzon Bejtullai vazhdon karrierën në Kosovë, i bashkohet ish futbollistit të FC Shkupit

Egzon Bejtullai ka vendosur që karrierën e tij ta vazhdojë në Kosovë, duke pranuar ofertën e Gjilanit, transmeton “infOSport.mk”.

Mbrojtësi tetovar, i cili nuk vazhdoi kontratën me Shkëndijën, tashmë disa muaj është pa klub, ndërsa edhe përkundër ofertës joshëse nga drejtuesit e Gostivarit, Bejtullai së fundmi pranoi ofertën e skuadrës nga elita e futbollit kosovar.

Vërtetë një vendim i çuditshëm ky i reprezentuesit të Maqedonisë, që me përzgjedhjen e tij, lirisht mund të themi se ka bërë një hap mbrapa në karrierën e tij.

Gjilani për shkak problemeve financiare, sezonin e ri e nisi me vonesë, ndërsa edhe tani për momentin situata e tillë nuk mund të thuhet se është për “mashallah”.

Më së miri këtë e pasqyrojnë edhe rezultatet e kësaj skuadre, që pas 9 xhirove të para në Superligën e Kosovës, ka grumbulluar vetëm 8 pikë dhe për momentin ndodhet në pjesën e rrezikshme të tabelës së klasifikimit.

Te Gjilani, Egzon Bejtullai do të bashkohet me ish mbrojtësin e FC Shkupit, Melos Bajrami, i cili për shkak mosmarrëveshjeve me trajnerin Simov, patra kohe kishte shkëputur kontratën me Makedonija GJ.P dhe i ishte bashkuar skuadrës gjilanase. (infOSport.mk)

Leave a Reply