FC Shkupi ndalet në barazim pa gola në transfertën në Shtip (VIDEO)

FC Shkupi ka barazuar pa gola në ndeshjen e vlefshme të javës së 22-të në Ligën e Parë kundër Bregallnicës në Shtip, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra nikoqire e nisi ndeshjen me disa sulme, duke tentuar golin e epërsisë, mirëpo shtylla në ato momente shpëtoi “bardheblutë” nga Shkupi, që u këndellën shumë shpejtë, duke marrë kështu lojën nën kontroll në minutat në vijim.

Në këtë mënyrë në minutën e 23-të, FC Shkupi përfitoi një penalti, të cilën megjithatë me gol nuk arriti ta kurorëzojë Arbi Vosha.

Menjëherë pas humbjes së penaltisë, Vosha ekzekutoi rivënien nga këndi, pas së cilës u kanos braziliani Dudu, goditjen e të cilit nga distanca, portieri vendas, Riste Jankov e devijoi në rivënie nga këndi.

Dudu edhe pak minuta më vonë lëshoi një predhë të vërtetë në drejtim të portës vendase, mirëpo edhe njëherë tjetër në vendin e duhur doli të jetë portieri Jankov, që kishte fituar edhe duelin me Trapanovskin, me ç’rast pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.

Pjesa e dytë nisi me inciativën e futbollistëve të FC Shkupit, që u kanosën me Voshën, mirëpo sërish në nivel të detyrës ishte portieri Jankov, i cili lirisht mund të thuhet se ishte lojtari i ndeshjes, duke pasur parasysh se i mohoi fitoren skuadrës shkupjane, edhe pse realisht edhe Bregallnica në disa raste rrezikoi konkretisht portierin Iljazi, që në një rast kishte aleat edhe traverzën.

Trajneri Mlladen Zhizhoviç provoi të freskojë sulmin, duke inkuadruar në lojë treshen ofenzive, Ibishi-Dodev-Edmundson, mirëpo që goli sërish mungoi, ashtu që në fund të dyja skuadrat, Bregallnica dhe FC Shkupi duheshe të kënaqen me nga një pikë.

Bregallnica edhe përkundër këtij rezultati pozitiv, mbetet në zonën e ftohtë, ndërsa FC Shkupit humbja e dy pikëve i kushtoi me humbjen e pozitës së parë, ashtu që ndeshjen e fundit të sezonit 2023/24 do të duhet ta zhvillojë në fushën e rivalit të madh, Struga Trim Lum. (infOSport.mk)

Leave a Reply