Disfata ndaj Vardarit, flet trajneri Shpëtim Duro

Pas plotë 11 ndeshjeve pa humbje, të dielën Struga Trim Lum pësoi disfatë minimale 1:0 nga Vardari në Shkup. Ishte kjo një ndeshje, në të cilën skuadra strugane nuk arriti të përsëris ndeshjet e fundit ndaj të njëjtit kundërshtarë, duke pasur parasysh se për herë të fundit nga Vardari ishin mundur me  11 mars të vitit 2020.

Që nga ajo ndeshje, Struga Trim Lum kundër Vardarit kishte regjistruar 4 fitore dhe vetëm një barazim, para se të vinte dueli i së dielës, për të cilin ka folur vetë trajneri, Shpëtim Duro.

“Më vjen keq që humbëm pas 11 ndeshjeve, duke ndërprerë kështu një seri shumë pozitive të skuadrës tonë, falë së cilës jemi edhe ku jemi. Ekipi luajti mirë në pjesën e parë, në të cilën krijuam edhe disa mundësi për gol, mirëpo që fatkeqësisht nuk i shfrytëzuam. Pjesa e dytë nuk ishte në nivelin e duhur. Pas golit të pësuar, mund të them se nuk kishte lojë efektive dhe kjo bëri që edhe mos të jemi në gjendje për të dhënë më shumë. Më vjen keq për këtë disfatë të papritur, mirëpo ky është futbolli, neve duhet të shikojmë para” – shprehet trajneri Shpëtim Duro.

Edhe përkundër kësaj disfate, Struga Trim Lum vazhdon të mbajë pozitën e parë në renditje, me 3 pikë më shumë se FC Shkupi.

Javën e ardhshme, në terren vendas, Struga Trim Lum do të mirëpres Bregallnicën nga Shtipi.

Leave a Reply