Lamallari flet para sfidës me Shkëndijën: Pikët jetike për Besën në luftën për mbijetesë

Besa e Dobërdollit vazhdon të mbetet në zonën e ftohtë, pavarësisht se koha ka filluar të nxehet. Kundërshtarë i rradhës në kampionat për skuadrën nga Dobërdolli, do të jetë Shkëndija, një kundërshtarë shumë i fortë, mirëpo që pikërisht në ndeshje të këtilla, ekipi duhet treguar forcën.

“Atmosfera brenda skuadrës është pozitive, pavarësisht humbjes së fundit. Shkëndija është një kundërshtar i fortë dhe aktualisht po lufton për titullin kampion, çka e bën këtë ndeshje edhe më sfiduese për ne. Por edhe ne kemi objektivat tona, jemi në një betejë të rëndësishme për mbijetesën dhe çdo pikë është jetike në këtë fazë të kampionatit.” – tha fillimisht mbrojtësi i Besës së Dobërdollit, shkupjani Arsim Lamallari.

“Kemi punuar fort gjatë javës dhe jemi të vetëdijshëm që vetëm me përkushtim maksimal dhe me shpirt gare mund të dalim nga kjo ndeshje me rezultat pozitiv.

Do të futemi në fushë me zemër, me karakter dhe me dëshirën për të luftuar deri në fund për fanellën që përfaqësojmë. Besojmë në vetvete dhe në punën që po bëjmë, dhe jemi të bindur se nëse japim gjithçka, do të shpërblehemi” – u shpreh Lamallari, i cili sot kundër Shkëndijës do të zhvillojë ndeshjen e tij të 7-të personale.

Ai ndaj Shkëndijës ka arritur që edhe të shënojë një gol, si pjesë e Sileksit. (infOSport.mk)

Leave a Reply