Trajneri i Trabzonspor, Fatih Teke, duket të jetë i dashuruar me futbollistët shqiptarë. Pas Ernest Muçit, i radhës që po kërkon të marrë te skuadra e tij, është ylli i përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica, aktualisht pjesë e Beshiktash.
Rashica shënoi në ndeshjen e fundit, për t’i dhënë fitoren Beshiktashit kundër Rizesporit, derisa gjatë javës së kaluar kishte asistuar pikërisht kundër Trabzonsporit, në atë ndeshje të çmendur, që u mbyll me shifrat 3:3, e ku një ndër golat kishte realizuar edhe Ernes Muçi, që ndodhet në formë të jashtëzakonshme.
Hapësirat për Rashicën te Beshiktashi nuk ishin të shumta në fillimin e sezonit aktual, mirëpo paraqitjet e tij të fundit mund të ndryshojnë mendjen e drejtuesve të “Shqiponjave të zeza” për të mbajtur atë në skuadër.
Kështu, besohet se te Beshiktashi nuk do të heqin dorë lehtë nga shërbimet e futbollistit shqiptarë nga Kosova, kjo pasi kujtojmë se në vitin 2023 ata kishin shpenzuar rreth 5 milionë euro për të blerë kartonin e tij.
29-vjeçari Rashica, me Beshiktashin ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2027.
