Futbollistët e KF Shkëndija gjatë ditës së sotme vizituan Qendrën Ditore “Teteksi” dhe paralelen e specializuar të Shkollës Fillore “Liria” në Tetovë, ku u shoqëruan dhe ndanë momente të ngrohta me fëmijët.
Delegacioni i klubit “kuqezi” nga Tetovë përbëhej nga kapiteni Besart Ibraimi, futbollistët Arbin Zejnullai, Mevlan Murati dhe Imran Fetai, si dhe përfaqësues nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Median, së bashku me ekipin logjistik të klubit.
Kapiteni Besart Ibraimi vlerësoi lart pritjen dhe shprehu kënaqësinë që ishte sot pranë këtyre fëmijëve, duke theksuar rëndësinë që KF Shkëndija i jep dimensionit njerëzor dhe social të klubit.
Ndërkohë, drejtoresha e Shkollës Fillore “Liria”, Farije Kasami, falënderoi klubin për vazhdimin e kësaj tradite shumëvjeçare, duke nënvizuar se Shkëndija dëshmon madhështinë e saj jo vetëm në fushën e futbollit, por edhe jashtë saj.
KF Shkëndija mbetet e përkushtuar që përmes veprimeve konkrete të jetë pranë çdo kategorie të shoqërisë, duke përcjellë mesazhe solidariteti, respekti dhe dashurie. Kuqezinjtë vazhdojnë të jenë shembull jo vetëm sportiv, por edhe human, duke ndarë gëzim dhe shpresë me ata që kanë më shumë nevojë.
