Drejtuesit e KF Rramalisë, e kanë marrë shumë seriozisht punën rreth ndërtimit të një skuadre që në pranverë do të tentojë inkuadrimin në Ligën e Tretë – Veri, shkruan “infOSport.mk”.
Pas dy super përforcimeve të bëra me emra të njohur të futbollit vendor, siç janë Ismail Abdullahu dhe Emir Aliu, ata gjatë ditës së sotme kanë prezantuar edhe shkupjanin e tretë, portierin Burhan Mustafa.
Bëhet fjalë për një portierë me mjaft eksperiencë, që pas vetes ka një bagazh të pasur edhe nga ndeshjet e Ligës së Parë, duke mbrojtur portat e FC Shkupit, Rabotniçkit, Borecit, Dritës së Bogovinës, e Voska Sport, ndërsa gjithashtu i njëjti numëron edhe mbi 100 ndeshje me skuadrat në Ligën e Dytë, aty ku së fundmi mbronte ngjyrat e Shkëndijës së Haraçinës.
Mustafa, gjithashtu ka bërë karrierë edhe në futbollin kosovar, duke mbrojtur portën e Ferizajit.
Angazhimi i tij nga ana e drejtuesve të KF Rramalisë, vetëm konfirmon ambiciet e kësaj skuadre për stinorin pranveror në Ligën komunale të Kumanovës.
