Stinori vjeshtorë, pjesë e sezonit 2025/26, ishte ndër më të suksesshmit për Struga Trim Lum në historikun e saj. Asnjëherë më parë kjo skuadër nuk kishte grumbulluar më shumë pikë gjatë stinorit vjeshtorë, madje edhe ato dy vitet e arta 2023 dhe 2024 kur Struga Trim Lum shpallej kampion i Maqedonisë së Veriut në futboll, përcjellë “infOSport.mk”.
41 pikët e grumbulluara në 16 ndeshje, bëjnë të qartë superioritetin e skuadrës gjatë pjesës së parë të sezonit aktual, në të cilin Struga Trim Lum doli si nënkampion, me vetëm një pikë më pak se liderët e Vardarit.
Kjo bënë skuadrën edhe më motivuese për pjesën pranverore, aty ku shpresojmë që edhe fati të na buzëqesh në fund.
Përveç pikëve më shumë të grumbulluara, gjatë këtij gjysmësezoni, gjithashtu ekipi strugan mund të lëvdërohet edhe me shënimin e golave. Si asnjëherë më parë, kjo skuadër ka realizuar 42 gola, edhe atë në 16 ndeshje, për dallim nga sezonet paraprake.
Në gjysmësezonin e saj më të mirë deri më tani, 2023/24, në 18 ndeshje kishin realizuar 33 gola, duke grumbulluar 39 pikë.
Po atë edicion, por gjithnjë duke theksuar në 18 ndeshje, Struga Trim Lum kishte regjistruar 13 fitore, po aq sa edhe gjatë gjysmësezonit aktual.
Janë këto disa nga të dhënat statistikore të pjesës së parë të sezonit 2025/26, ku ekipi strugan shpreson të vazhdojë me këtë ritëm nën drejtimin e trajnerit Bledi Shkëmbi.
BASSIROU COMPAORE, GOLASHËNUESI MË I MIRË
Bassirou Compaore ka zhvilluar sezonin më të mirë që kur se është pjesë e Struga Trim Lum. Sulmuesi nga Burkina Faso në 16 ndeshje ka regjistruar 14 gola dhe 2 asistime.
Ai ka kaluar 1,114 minuta në fushë, më shumë se në edicionin e tij të parë debutues, kur në 27 ndeshje kishte regjistruar 1,052 minuta dhe 5 gola të shënuar.
Në sezonin e tij të dytë, Compaore kishte zhvilluar 23 ndeshje, duke regjistruar 4 gola dhe 5 asistime.
Pra gjithsej 9 gola në 50 ndeshjet e tij të para, derisa në 16 ndeshjet e sezonit aktual, i njëjti ka shënuar plotë 14 gola, po aq sa Roxher Mato i Vardarit, me të cilin do të luftojnë për epitetin e golashënuesit më të mirë për sezonin 2025/26.
PAPE FALL ASSISTUESI MË I MIRË
Sezoni 2025/26 ka rezultuar shumë i suksesshëm edhe për mbrojtësin e krahut të majtë, Pape Fall, i cili te skuadra strugane kishte arritur gjatë stinorit pranveror të edicionit të kaluar. Ishte pra ky edicioni i tij i parë që e nisi nga fillimi, dhe i njëjti ishte shumë produktiv për senegalezin.
Në mungesë të një goli, Pape Fall, dhuroi 7 asistime, duke e bërë atë asistuesin më të mirë të stinorit vjeshtorë në Ligën e Parë.
Kur ai asistonte, Struga Trim Lum gjithnjë fitonte.
MARCO ANGELETTI, PORTIERI MË I MIRË I STINORIT VJESHTORË
Përveç golashënuesit dhe asistuesit më të mirë, ekipi i Struga Trim Lum mund të lëvdërohet edhe me portierin më të mirë të gjysmësezonit. Italiani Marco Angeletti tejkaloi të gjitha parashsikimet, duke sjellë shumë siguri në portën e struganëve.
Edhe pse është ky vetëm edicioni i tij i parë në futbollin e Maqedonisë, ai nuk e pati aspak të rëndë, për ti treguar vlerat e tij të vërteta.
Ai debutoi në ndeshjen e parë të sezonit kundër Makedonija Gj.P, duke e lënë në bankinë Vedran Qoshevskin. Debutimi i tij rezultoi shumë pozitiv, pasi arriti të mbajë rrjetën të paprekur, teksa një gjë të tillë bëri edhe në 8 ndeshje të tjera.
Plotë 9 rrjeta të paprekura në 15 ndeshje, e bënë atë portierin dukshëm më të suksesshëm të stinorit vjeshtorë, në të cilin skuadra jonë pranoi 11 gola, 4 prej të cilëve në ndeshjen kundër AP Brera, në të cilën Angeletti ishte në bankinë.
BLEDI SHKËMBI, TRAJNERI ME DEBUTIMIN MË TË MIRË TE STRUGA TRIM LUM
Para fillimit të sezonit drejtuesit e Struga Trim Lum, postin e trajnerit i’a besuan Bledi Shkëmbit. Një vendim ky më se i duhur dhe i qëlluar, pasi një gjë të tillë dëshmuan edhe rezultatet e ekipit.
Nën drejtimin e strategut korçar stinorin vjeshtorë Struga Trim Lum e mbylli si nënkampion me 13 fitore, 2 barazime dhe vetëm një disfatë.
Të arriturat e njëjta për gjatë 16 xhirove të para në krye të skuadrës nga Struga, i kishte përjetuar edhe Shpëtim Duro, mirëpo mes dy sezoneve, duke pasur parasysh se i njëjti e kishte marrë drejtimin në pjesën pranverore të sezonit 2022/23, për të vijuar më pas edhe sezonin 2023/24, por pa mundur që ta mbyll deri në fund.
KAPITENI SHABANI, TERMINATORI I STRUGA TRIM LUM
Një ndër futbollistët më të mirë që kanë luajtur ndonjëherë në Ligën e Parë, pa dyshim se është edhe kapiteni i skuadrës së Struga Trim Lum, Bunjamin Shabani.
I njëjti thuajse ka rilindur këtë edicion, pavarësisht moshës që ka.
Ai është një motor i vërtetë i mesfushës, aty ku po sundon në kampionat, bashkë edhe me Besmir Bojkun dhe Stefan Jevtoskin.
Shabani, i cili pjesë e Struga Trim Lum është që nga viti 2020 ka regjistruar stinorin vjeshtorë më të suksesshëm prej kur se është pjesë e jona. Ai në 16 ndeshje ka regjsitruar 6 gola dhe 4 asistime, duke ndihmuar ekipin dukshëm gjatë pjesës së parë të sezonit.
Deri më tani, i njëjti, për sa u përket golave më së miri kishte kaluar në sezonin 2022/23, kur e kishte mbyllur me 12 gola dhe 6 asistime, derisa vetëm në pjesën e parë të sezonit të fjalë, kishte regjistruar 5 gola dhe vetëm 1 asistim.
Ndryshe, Bunjamin Shabani në 153 ndeshje kampionale me fanellën e Struga Trim Lum, numëron 27 gola dhe 27 asistime.
HRISTIJAN MALESKI, “SPAJDERMENI” I STRUGA TRIM LUM
Pjesa e parë e sezonit 2025/26 në aspektin personal ka qenë shumë e suksesshme edhe për sulmuesin strugan, Hristijan Maleski. 23-vjeçari po zhvillon sezonin e 5-të me fanellën e Struga Trim Lum, teksa i njëjti në dy periudha të ndryshme ishte huazuar te AP Brera dhe Tikveshi.
Maleski në 16 ndeshje të këtij gjysmësezoni regjistroi 8 gola dhe 3 asistime, duke thyer rekordin e tij personal nga sezoni 2022/23, kur ishte shpallur kampion për herë të parë në histori.
Atë vit, Maleski në 23 ndeshje kishte regjistruar 7 gola, 5 prej të cilëve vetëm në stinorin vjeshtorë, të cilin këtë vit e rrumbullaksoi me 8 gola.
Ndryshe, Maleski në 73 ndeshje me fanellën e Struga Trim Lum numëron 22 gola dhe 7 asistime, me shpresë se këto shifra do ti thellojë edhe më shumë gjatë stinorit pranveror.



