Muhamed Useini edhe përfundimisht i ka dhënë fund qëndrimit të tij te KF Llapi. Edhe pse i njëjti me skuadrën nga Podujeva kishte kontratë deri në qershor të këtij viti, për shkak të ideve të ndryshme, vendosën që të ndërpresin bashkëpunimin, njofton “infOSport.mk”.
Megjithatë nuk ka zgjatur shumë kohë dhe Useini ka gjetur skuadrën e tij të re.
Edhe pse ende nuk ka firmosur asgjë në letër, i njëjti është dakorduar për t’iu bashkuar skuadrës së Lirisë nga Prizreni, një ndër pretendentët kryesor për inkuadrim në Superligën e Kosovës.
Aktualisht, Liria, një ndër skuadrat më të njohura kosovare garon në Ligën e Parë. Skuadra e drejtuar nga Liridon Leci, pjesën e parë të sezonit 2025/26 e mbylli në pozitën e 5-të, mirëpo me vetëm 4 pikë më pak se kampioni vjeshtorë Vushtrria.
Kjo ka bërë që drejtuesit e skuadrës nga qyteti i bukur i Prizrenit të mobilizohen në maksimum, më qëllim që në qytetin e tyre të rikthejnë ethet e futbollit elitarë.
Muhamed Useini, kështu vijon të mbetet pjesë e futbollit kosovar, aty ku për herë të parë ishte transferuar verën e vitit 2019-të.
Skuadra e tij e parë, ishte Gjilani, me të cilën skuadër kishte luajtur edhe në arenën ndërkombëtare, njëjtë sikurse më pas edhe me FC Prishtinën dhe KF Llapin. Liria nga Prizreni do të jetë skuadra e tij e katërt me rradhë në Kosovë, dhe hera e parë që do të luaj në Ligën e Parë. Ai deri më tani ka luajtur vetëm në Superligë, aty ku numëron plotë 173 paraqitje, 5 gola dhe 4 asistime. (infOSport.mk)
