Skuadra e Tiranës, që pjesën e parë të sezonit 2025/26 e mbylli në pozitën e fundit, po bën një revolucion të plotë gjatë janarit, teksa që tani ka larguar 10 futbollistë, të cilët pritet t’i zëvendësojë me emra të rinj.
Një prej tyre, është edhe portieri, Klajdi Kuka, që është rikthyer edhe zyrtarisht te Tirana, duke hapur kështu një kapitull të ri me klubin “bardheblu” nga kryeqendra shqiptare.
Portieri mbylli aventurën e tij me Egnatian, skuadër me të cilën qëndroi për dy sezone, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në kampionat.
Klajdi Kuka ka qenë më parë pjesë e Tiranës gjatë periudhës 2007-2012, ku u formua dhe hodhi hapat e parë në karrierën e tij profesionale.
Rikthimi i tij shihet si një përforcim me eksperiencë për skuadrën e Ardian Nuhiut, që do të jetë portieri i dytë pas largimit të Kozit.
Zyrtarizimi i transferimit pritet të ndikojë pozitivisht në kampin e Tiranës.

