Brenda ditës, dy largime te Shkëndija e Tetovës!

Mbrojtësi strugan Egzon Belica dhe mesfushori defanziv, Kamer Qaka, në pranverë nuk do të jenë pjesë e Shkëndijës, njofton “infOSport.mk”.

Që të dy u larguan brenda ditës së sotme, ndërsa Shkëndija falënderoi që të dy për kontributin dhe profesionalizmin e treguar gjatë periudhës së kaluar me fanellën kuqezi.

Belica erdhi te Shkëndija gjatë merkatos verës së shkuar (2025) për të shtuar konkurencën në situatë kur klubi tetovar garonte në tre fronte, kampionatin vendor, Kupën e vendit dhe Ligën e Konferencës, derisa Kamer Qaka ishte pjesë e rëndësishme e “kuqezinjëve” në dy periudha të ndryshme.

Ai fillimisht me Shkëndijën ishte bashkuar janarin e vitit 2021, për të qëndruar deri janarin e vitit 2022, ndërsa i njëjti skuadrës nga Tetova iu bashkua janarin e vitit 2023, me kontratën që tashmë mbyllet pas tre viteve bashkëpunim.

Gjatë këtyre viteve, mesfushori dha kontributin e tij në arritjen e objektivave të klubit, duke qenë pjesë e skuadrës që fitoi tituj kampionë në vitin 2021 dhe 2025.

Ai gjatë sezonit aktual u paraqit në 25 ndeshje me Shkëndijën, mes kampionatit, kupës dhe garat europiane, derisa i njëjti largohet nga Shkëndija, duke lënë pas vetes 118 ndeshje.

Ajo që vlen të theksohet, është fakti se pikërish me fanellën e Shkëndijës, Kamer Qaka ka shënuar golin e tij të parë në karrierë, edhe atë kundër Bellasicës me 18 prill të vitit 2021.

Leave a Reply