Florent Ramadani pas plotë 6 viteve e gjysmë i ka dhënë fund qëndrimit të tij te Shkëndija e Tetovës, skuadër ku u rit dhe u ndërtua si futbollistë. Ndarjet e këtilla gjithnjë janë të rënda. E tillë ishte edhe për Florent Ramadanin, që përmes një mesazhi shumë emocionues u përshëndet me klubin e fëmijërisë.
Më poshtë mund të lexoni mesazhin e plotë të Florent Ramadanit, i cili me klubin e Shkëndijës ishte shpallur tre herë kampion i Maqedonisë së Veriut:
“Pas një periudhe shumë të gjatë, sot erdhi momenti të them lamtumirë Shkëndijë.
Kjo nuk është thjesht ndarje nga një klub, por nga një shtëpi ku u rrita si futbollist dhe si njeri. Rrugëtimi im filloi që nga akademia, ku kalova çdo shkallë me fanellën kuqezi, duke u shpallur kampion me çdo gjeneratë. Aty mësova çfarë do të thotë disiplinë, sakrificë dhe krenari për këtë emblemë.
Më pas erdhën 8 vite me ekipin e parë, vite që do të mbeten përgjithmonë pjesë e jetës sime. Bashkë festuam 3 tituj kampioni, momente që nuk harrohen kurrë. Kulmi i këtij rrugëtimi ishte kualifikimi në fazën e grupeve të Conference League, një histori e shkruar për herë të parë, një ëndërr e bërë realitet për klubin dhe për të gjithë ne.”
“Një falënderim i veçantë shkon për tifozët Ballistët. Ju nuk ishit vetëm tifozë, por forca jonë në çdo ndeshje, në çdo fitore dhe në çdo moment të vështirë. Mbështetja juaj ishte arsyeja pse kjo fanellë peshoi gjithmonë më shumë në fushë.
Gjithashtu, faleminderit nga zemra për kryesinë e klubit, stafin teknik, doktorët, fizioterapistët dhe çdo futbollist me të cilin pata nderin të ndaj dhomën e zhveshjes. Pa ju, ky rrugëtim nuk do të ishte i njëjtë.
Largohem me kokën lart, me zemrën plot dhe me krenarinë që kam dhënë gjithçka për këtë klub. Shkëndija do të mbetet gjithmonë pjesë e imja.”
Faleminderit për gjithçka.
Gjithmonë kuqezi.

