Klubi i hendbollit të femrave Çair, ka prezantuar dy super përforcime në prag të stinorit pranveror në elitën e hendbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.
Pjesë e kësaj skuadre në pjesën e dytë të sezonit garues do të jenë reprezentuesja e Maqedonisë, Aleksandra Kollovska dhe argjentinasja, Elizabet Van Akere.
Kollovska te skuadra e KHF Çair, vjen nga rivali i madh i Metalurg nga Autokomanda, klub ky që për habi ka lëshuar shumë hendbolliste, duke humbur ndoshta në këtë mënyrë edhe ambiciet për titull, pavarësisht se pjesën e parë të sezonit e mbylli në pozitën e dytë me pikë identike sikurse skuadra e vendit të parë, Gjorçe Petrov, që të dyja skuadrat me nga 23 pikë.
Mirëpo nuk qëndron aspak keq edhe KHF Çair, që mban vendin e tretë me 22 pikë.
Pikërisht, kjo renditje ka shtuar ambiciet e drejtuesve të klubit nga Çairi, që pretendon për titullin e kampionit, që do të ishte i pari në histori.
Këto përforcime, siç janë Kollovska dhe Akere, shtojnë edhe më shumë ambiciet e tyre, kjo pasi kanë arritur të mbajnë boshtin e skuadrës me hendbolliste si Biljana Damçeska, njëherit golashënuesja më e mirë e ekipit në pjesën pranverore me 72 gola, por edhe hendbollistet tjera, ndër më të dalluarat që ishin, si Gabriela Veliçkovska (44 gola), Hana Miftari (42 gola) dhe Izabele De Jesus Ferreria (40 gola).
Kujtojmë, sezoni pranveror në elitën e hendbollit tek femrat starton me 14 shkurt, ndërsa KHF Çair në ndeshjen e saj të parë do të luaj ndeshjen derbi kundër Metalurgut nga Autokomanda. (infOSport.mk)
