Fc Besa Saraj vazhdon të përforcojë skuadrën, prezantojnë Muadh Kurtishin!

Fc Besa Saraj ka vazhduar me përforcimin e skuadrës, teksa sot drejtuesit e kësaj skuadre kanë prezantuar shkupjanin, Muadh Kurtishi, një futbollistë i rritur te skuadra e FC Shkupit, shkruan “infOSport.mk”.

Kurtishi te FC Besa Saraj vjen nga rradhët e BVK Konjare, nga e cila skuadër më parë kjo skuadër kishte transferuar edhe Jusuf Aliun, ndërsa gjithashtu nga rradhët e Shkëndijës së Haraçinës, kësaj skuadre iu ishin bashkuar edhe Amar Mustafa, Shuajb Aliti dhe së fundmi Artan Çilafi.

Gjithë këto transferime tregojnë për seriozitetin e drejtuesve të FC Besa Saraj, që synim kryesor këtë vit kanë mbijetesën në Ligën e Tretë – Veri, që më pas sezonin e ardhshëm me ndihmën e shumë bizneseve që gravitojnë në këtë Komunë, të bëjnë edhe një hap më larg, duke kërkuar ngjitjen në Ligën e Dytë.

Drejtuesit e rinj po punojnë pikërisht në këtë drejtim, dhe tashmë kanë në duart e tyre edhe projektin përmes të cilit do të kërkojnë që t’ia arrijnë këtij qëllimi.

Kujtojmë, pjesën vjeshtore në Ligën e Tretë-Veri, FC Besa Saraj me 11 pikë të tubuara e mbylli në pozitën e 11-të nga gjithsej 14 skuadra.

Ndeshjen e parë në kuadër të stinorit pranveror ata do ta zhvillojnë me datë 1 mars kundër GFK Kumanovo, ndërsa deri atëherë ata kanë planifikuar të zhvillojnë edhe disa ndeshje miqësore.

Brenda javës ata do të luajnë një miqësore kundër skuadrës së “Top Football” nga Prishtina, ndërsa javën e ardhshme do të luajnë kundër KF Lepencit nga Kaçaniku.

Ndërkohë në dy ndeshjet e deritanishme miqësore, FC Besa Saraj ka shënuar dy fitore. Fillimisht ata mundën KF Rramalinë, një skuadër mjaft ambicioze, që gjithashtu në këtë merkato ishte shumë aktive, duke sjellë në rradhët e saja emra të spikatur, që në të kaluarën kishin qenë pjesë edhe e Ligës së Parë.

Në ndeshjen e zhvilluar në QRS “Saraj”, FC Besa Saraj kishte shënuar fitore minimale 1:0, ndërsa në ndeshjen e dytë të zhvilluar kundër skuadrës së Skënderbeut nga Poroji i Tetovës, ata kishin shënuar një fitore të thellë 5:0. (infOSport.mk)

Leave a Reply