Sonte fiks në ora 00:00 mbyllet afati kalimtarë për transferimin e futbollistëve të rinj në Ligën e Parë. KF Arsimi, është treguar mjaft aktiv, teksa gjatë ditës së djeshme prezantoi dy emra të rinj, ndërsa për sonte informacione të besueshme pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se do të prezantojnë edhe një emër tjetër, që është mjaft i njohur edhe për opinionin futbollistik në vend.
Drejtuesit e skuadrës nga Çegrani, për herë të parë në rradhët e tyre siguruan nënshkrimin e një futbollisti spanjoll. Fjala është për Markel Goni Ibarguren, që te KF Arsimi vjen si agjent i lirë.
Ai së fundmi kishte qenë pjesë e skuadrës qipriote të Achyronas, ndërsa për gjatë karrierës së tij kishte luajtur edhe në vendlindje me ekipin e të rinjëve të Real Sociedad, si dhe ekipet si Rayo Cantabria, Zamora FC dhe Arenas.
Markel Goni me ekipin “verdhezi” nga Çegrani ka firmosur kontratë për një vit e gjysmë.
Përveç mesfushorit defanziv nga Spanja, KF Arsimi gjatë ditës së djeshme konfirmoi lajmin e “infOSport.mk”, duke rikthyer në skuadër mbrojtësin e krahut, Arlind Aliti, ndërsa burime të besueshme pranë portalit tonë, bëjnë me dije se pjesë e “verdhezinjëve” në stinorin pranveror do të jetë edhe Fatjon Jusufi.
Ky i fundit gjatë ditës ka kompletuar dokumentacionin e duhur në FFM, duke u rikthyer sërish në futbollin vendor pas aventurës prej një viti e gjysmë që e kishte në futbollin kosovar me skuadrën e FC Ferizajit.
Ai para se të transferohej në Kosovë, në futbollin vendor kishte luajtur me FC Shkupin, Renovën, Struga Trim Lum, Gostivarin dhe Voska Sport.
Jusufi, që në elitën e futbollit vendor numëron plotë 210 ndeshje, pritet të jetë një vlerë e shtuar e mesfushës së KF Arsimit, me të cilën skuadër sipas informacioneve që posedojme i njëjti do të firmos kontratë për një vit. (infOSport.mk)

