Arlind Aliti sezonin e ri do të luaj sërish me fanellën e KF Arsimit, mirëpo këtë herë në Ligën e Parë, njofton ekskluzivisht “infOSport.mk”.
Aliti ishte një ndër futbollistët më të dalluar edicionin e kaluar, duke qenë pjesë e suksesit historik të skuadrës nga Çegrani, kur kjo skuadër për herë të parë në histori arriti që të sigurojë një vend në mesin e më të mirëve.
Pikërisht paraqitjet e tij bënë që ai të marrë një ofertë që nuk mund ta refuzonte nga Vëllaznimi i Gjakovës, pjesë e së cilës skuadër ishte 6 muajt e fundit.
Ai skuadrës së njohur kosovare iu bashkua me kërkesë të trajnerit tetovar, Xhengis Rexhepi, mirëpo pas largimit të tij, Aliti në fund të sezonit vendosi që të largohet nga skuadra gjakovare dhe sërish të bashkohet me KF Arsimin.
Ai aktualisht ndodhet me ekipin “verdhezi” në Kroaci, aty ku KF Arsimi po zhvillon edhe fazën kryesore të përgatitjeve për stinorin pranveror.
Ndryshe, Aliti me origjinë nga Bogovina e Tetovës, hapat e parë i kishte bërë në vendlindje te skuadra e Dritës, që më pas falë talentit të tij ti bashkohet Akademisë së Shkëndijës së Tetovës.
Ai te kjo skuadër kishte arritur të luaj edhe me ekipin e parë, ndërsa debutimin e tij në Ligën e Parë e kishte bërë me fanellën e Struga Trim Lum.
Në futbollin tonë vendor kishte luajtur gjithashtu edhe me Vëllazërimin e Kërçovës, Renovën, Voska Sportin dhe Arsimin, ndërsa në Kosovë përveç me Vëllaznimin e Gjakovës, në Superligë kishte luajtur edhe me Feronikelin. (infOSport.mk)
