Zija Merxhani del sërish në skenë. Pavarësisht mungesës nga fushat e futbollit për disa muaj, emri i tij ka peshë në futbollin vendor, aty ku ka vendosur të luaj sërish, mëson ekskluzivisht “infosport.mk”.
Pavarësisht ofertave nga jashtë, që nuk kanë munguar në asnjë moment, Zija Merxhani ka vendosur të qëndrojë në vendlindjen e tij, pranë familjes së tij të ngushtë.
Dhe ky vendim i tij ka një arsye shumë të fortë që tejkalon çdo gjë në jetë. Zija Merxhani për herë të parë pritet të bëhet baba, ndërsa momentin më të bukur të jetës, futbollisti nga Tetova nuk ka dashur ta humb për asgjë në këtë botë.
Ai së bashku me bashkëshorten e tij presin në jetë një djalë, ndërsa lindjen e tij Zija Merxhani ka vendosur ta përjetojë nga afër.
Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore e refuzimit të ofertave nga jashtë, ndërsa duke mos dashur të qëndrojë edhe më shumë jashtë fushave të futbollit, i njëjti ka vendosur të pranojë ofertën e Rabotniçkit.
Siç mëson “infOSport.mk”, Zija Merxhani me “romantikët” ka firmosur kontratë deri në fund të sezonit aktual.
Mbrojtësi i krahut të majtë së fundmi ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës, me të cilën skuadër kishte kontratë deri me datë 15 korrik të vitit të kaluar.
Pikërisht me Shkëndijën Merxhani ka arritur sukseset më të mëdha në karrierë, duke u shpallur 3 herë kampion i Maqedonisë së Veriut, ndërsa një gjë të tillë për gjatë sezonit 2022/23 kishte bërë edhe me Struga Trim Lum.
Njëherit këto dy skuadra kanë qenë të vetmet për të cilat ka luajtur gjatë karrierës së tij futbollistike, derisa Rabotniçki do të jetë skuadra e tij e tretë në elitën e futbollit vendor, aty ku numëron gati 100 ndeshje. (infOSport.mk)

