Ndodhitë e fundit në ndeshjen Vardari-Bashkimi bënë që të ketë shumë reagime në opinionin sportiv. Një referim skandaloz, për më tepër nga një arbitër shqiptarë, që doli të jetë protagonisti kryesor i takimit me vendimet e tij diskutabile, ku çdo kontakt, edhe më i vogli ndaj futbollistëve të Vardarit, konsiderohej me goditje dënimi në favorin e tyre.
Pikërisht vendimi i tij për të ndëshkuar me të kuq Rexhep Muratin e Bashkimit, solli edhe atë tollovi të madhe mes dy ekipeve, e për më tepër ofendimet ndaj shqiptarëve që nuk ndalnin nga tribunat dhe tifozët e Vardarit.
Pikërisht kjo ka bërë që të reagoj edhe BOSS-i i Bashkimit, Burak Hida, i cili përmes një shkrimi në profilin e tij zyrtarë në facebook tha se nuk do ti harrojë kurrë ato ofendime ndaj shqiptarëve: “Keni kaluar çdo kufi. Por mos harroni: kush qesh i fundit, qesh më së miri. Shqiptari vonon, por nuk harron.”
Më poshtë ju sjellim edhe reagimin e plotë të numrit 1 të Bashkimit, Burak Hida:
“Po filloj me një bravo të madhe për djelmoshat tanë — bravo luana, keni tregu se kush jeni dhe sa zemër keni!
Për referimin s’kam çka flas — e keni pa vet çka ndodhi. As për kartonin e luanit tonë Rexhepit s’flas, se u pa qëllimi për ta ndëshku me të kuq. Por sharjen s’ja fali. Të shash shqiptarin, e aq më keq shqiptarin e vdekur, nuk falet.
Edhe jashtë fushe, lojtari i FK Vardar ofendon ndihmësin tonë, shan e provokon. Njësia speciale i vërsulet atij, ndërsa kur ne dalim para tyre tentojnë të na frikësojnë me fjalë. Jo — nuk frikësohemi dhe nuk kemi me u frikësu kurrë.
Është turp që para Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut, vetëm 30 metra larg fushës, ndodhin padrejtësi e fyerje nacionaliste. Keni kaluar çdo kufi. Por mos harroni: kush qesh i fundit, qesh më së miri. Shqiptari vonon, por nuk harron.
Sharjen s’ja fali. Një ditë secili e sheh veten. Disa besojnë në ëndrra të kota, unë besoj në Zot e në fuqinë e Tij. Ne jemi Bashkimi, s’jemi si ju. Një sezon pa fyerje nacionaliste nuk patët — do mbeteni në histori si turp.”
