Dy federatat e futbollit, ajo e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, janë në diskutime e sipër për të organizuar një ndeshje miqësore në një nga dritaret ndërkombëtare para Botërorit 2026.
Të dyja përfaqësueset mbetën jashtë turneut dhe kjo miqësore do të shërbente për test të skuadrave. Deri tani janë zhvilluar 3 përballje mes tyre, me bilanc të barabartë: 1 fitore secila dhe 1 barazim.
Ndeshja e parë më 13 nëntor të vitit 2015-të ishte mbyllur me barazim 2:2. Atë kohë për Shqipërinë shënonin Manaj dhe Rrahmani, derisa për Kosovën, Celina dhe Rashani.
Ndeshjen e dytë këto dy përfaqësuese e zhvilluan me 29 maj të vitit 2018-të, me Kosovën që shënoi një fitore të pastërt 3:0, falë golave të shënuar nga Zeneli (dy gola) dhe Zhegrova, ndërkohë për herë të fundit ishin takuar me 11 nëntor të vitit 2020.
Kjo ndeshje u takoi “kuqezinjëve” që shënonin fitore 2:1, me golat e Balajt dhe Uzunit, derisa golin e vetëm për Kosovën e kishte realizuar Muriqi.
Njëherit kjo ndeshje të dyja ekipeve përfaqësuese do ju shërbente si parapërgatitje edhe për ndeshjet e shtatorit në kuadër të Ligës së Kombeve.
Shqipëria do të garojë në Ligën C, derisa Kosova për herë të parë do të luaj në Ligën B, edhe atë me kundërshtarë si Izraeli, Austria dhe Irlanda.
Po në grupin B, për herë të parë do të garojë edhe Maqedonia, që është shortuar në Grupin B1, së bashku edhe me Skocinë, Zvicrën dhe Slloveninë. (infOSport.mk)
