E dhimbshme, FC Shkupi edhe zyrtarisht sezonin e ardhshëm do garoj në Ligën e Dytë

Vetëm 4 vite më parë shpallej kampion, ndërsa nga edicioni i ardhshëm FC Shkupi do të duhet të luaj në Ligën e Dytë. Një lajm aspak i mirë për gjithë Çairin, për gjithë shkupjanët, e në veçanti “Shvercerat”, që gjithnjë kanë qenë lojtari i 12-të i FC Shkupit dhe një ndër tifozëritë më të zjarrta në tifo skenën tonë vendore.

Megjithatë ndodhitë e fundit te skuadra nga Çairi, bën që ky tifo grup të mos përkrahin skuadrën e tyre të zemrës për një periudhë të caktuar, e që realisht ndikoi shumë negativisht te vetë skuadra, që fatkeqësisht këtë edicion nuk ka shijuar asnjë fitore.

Dhemb fakti, se FC Shkupi figuron si skuadra e vetme europiane që nuk ka regjistruar ende fitore. Në 25 ndeshjet e deritanishme, skuadra nga Çairi ka vetëm një barazim dhe ndodhet në pozitën e fundit me vetëm 1 pikë, plotë 24 pikë larg pozitave që sigurojnë mbijetesën.

Duke marrë parasysh se deri në fund të sezonit kanë ngelur edhe 8 xhiro, kjo nënkupton që FC Shkupi tashmë edhe zyrtarisht ka humbur statusin e skuadrës elitare.

Mbetet të shihet nëse do të lëvizin gjërat në drejtimin e duhur sezonin e ardhshëm dhe nëse në krye të skuadrës do të vijnë njerëz që do bëjnë zgjidhjen e problemeve, si me borxhet e larta që ka kjo skuadër për momentin, por njëkohësisht edhe në regjistrimin e lojtarëve të rinj.

Pa emra të rinj, FC Shkupi nuk mund të shpresoj në rezultate pozitive edhe në Ligën e Dytë. Me gjithë respektin për këta djelmosha të rinj që i qëndruan besnik skuadrës, vetëm e vetëm që FC Shkupi të mos shuhej, pasi nëse të njëjtit nuk do të sakrifikonin veten dhe të veshnin fanellën e ekipit të parë, pavarësisht moshës së re (17 deri 20 vjeçare), atëherë kjo skuadër, emblemë e shkupjanëve nuk do të luante në Ligën e Dytë sezonin e ardhshëm, por do të niste garat që nga ligat më të ulëta.

Pikërisht sakrifica e tyre, pavarësisht rezultateve të arritura, meriton shumë respekt, ndërsa emrat e tyre pa dyshim se do të jenë pjesë e historisë së FC Shkupit, që shpresojmë të rikthehet shumë shpejtë në bnaret e duhura. (infOSport.mk)

Leave a Reply