Përfaqësuesja e Maqedonisë në futsal, e udhëhequr nga trajneri shqiptarë, Gazmend Hiseini, pas mini përgatitjeve të zhvilluara në Shkup, nesër udhëtojnë drejt Lituanisë, aty ku nga data 9 deri me 12 prill do të jetë pjesë e raundit të parë eliminatorë për kualifikim në Kampionatin Botëror, shkruan “infOSport.mk”.
Hiseini për këtë raund kualifikues në disponim do të ketë 15 lojtar, të cilët do të tentojnë të bëjnë më të mirën, me të vetmin qëllim vazhdimin e garës dhe shpresës për të siguruar një vend për në Botëror.
“Në Shkup kemi zhvilluar dy stërvitje para se nesër të udhëtojmë drejt Lituanisë. Më gëzon fakti se të gjithë lojtarët i janë përgjigjur pozitivisht ftesës dhe që në disponim do të kem gjithë ato emra që i kisha paraparë. Jam i kënaqur me formën e tyre dhe pres që të sigurojmë një nga dy vendet e para, që do na dërgojnë në raundin tjetër” – tha trajneri Hiseini.
Përveç nikoqirit Lituanisë, në grup do të kemi edhe Turqinë dhe Bullgarinë. Lidhur me kundërshtarët e grupit, Hiseini u shpreh: ”Në letër Lituania ka statusin e favoritit. Ata ishin pjesë e Kampionatit të fundit europian, gjë që flet shumë për cilësinë e rivalit tonë të drejtëpërdrejtë për pozitën e parë. Pavarësisht këtyre të dhënave, ne nuk kemi ndërmend të dorëzohemi para kohe dhe do të përpiqemi të shënojmë fitore në të tre ndeshjet dhe në fund të sigurojmë vendin e parë në grup.”
Kundërshtari ynë i parë do të jetë Bullgaria. Kjo ndeshje në program është me datë 9 prill me fillim në ora 16:30. Po në të njëjtën kohë ditën e nesërme do të luajmë kundër Turqisë, ndërsa me datë 12 prill do të përballemi me nikoqirin, Lituaninë, ndeshje kjo që do të startojë në ora 17:30.
Një vend për në fazën kryesore të kualifikueseve për Kampionatin Botëror, do të sigurojnë vetëm dy ekipet para në grup.
Të gjitha ndeshjet do të luhen në Drushkininkai, qytet ky që është 130 km larg Villnus.

