Futsal, Maqedonia mund edhe Turqinë, Ismaili e paralajmëroi fitoren me një eurogol!

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futsal ka regjistruar edhe fitoren e dytë nga po aq ndeshje të zhvilluara në kuadër të ndeshjeve paraeliminatore për Botërorin 2028, njofton “infOSport.mk”.

Në kuadër të grupit “C”, Maqedonia shënoi fitore 6:3 ndaj Turqisë në miniturneun kualifikues që po zhvillohet në Lituani, duke siguruar kështu një vend për në fazën kryesore të kualifikimeve (Main Round), pasi dy skuadrat e para nga grupi avansojnë tutje.

Të besuarit e Gazmend Hiseinit e nisën ndeshjen furrishëm ndaj Turqisë, duke shënuar 3 gola vetëm brenda 12 minutave të para.

Serinë e golave e hapi Taulant Ismaili, pas një eurogoli të vërtetë të shënuar vetëm pas 91 sekondave lojë. Jakup Ramadani nga rivënia anësore kombinoi në afërsi me Ismailin, i cili pa menduar shumë, goditi fuqishëm topin nga një distancë bukur e mirë, duke lënë të shtangur portierin turk, që vetëm me shikim e përcolli topin në rrjetën e tij.

Goli i dytë erdhi në minutën e 9-të, këtë herë me autorë Toni Kirevski, që përfitoi nga asisti i Ismailit, ndërsa një autogol i Burak Ugurlu në minutën e 12-të i dha epërsinë prej 3 golave ekipit përfaqësues të vendit tonë në futsal.

Në minutën e 18-të turqit shënuan golin e parë të takimit me anë të Umur Agir, mirëpo nuk vonoi shumë dhe në minutën e 20-të Mario Bllagoevski shënoi edhe një gol tjetër në rrjetën e turqve për rezultat 4:1 pas pjesës së parë.

Pjesa e dytë nuk nisi mirë për Maqedoninë, kjo pasi turqit brenda pak sekondave në kuadër të minutës së 26-të me anë të Burak Ugurlu shënuan dy gola të shpejtë për rezultat, 4:3.

Në ato momente u vërejt pak një nervozizëm në rradhët e “verdhekuqve”, mirëpo falë përvojës së madhe të disa prej lojtarëve që Hiseini ka në formacion, gjërat shumë shpejtë erdhën në vendin e duhur.

Ekipi ynë sërish morri lojën nën kontroll, ndërsa një gjë të tillë e kurorëzuam me golin e 5-të në minutën e 33-të, që ishte pjesë e Jakup Ramadanit.

Me këtë gol, presioni tashmë ishte në anën e turqve, që kërkonin të rikthehen në lojë, mirëpo pa sukses, kjo pasi ekipi i trajnerit Hiseini administroi mjaft mirë lojën deri në fund, madje duke arritur të shënojë edhe golin e 6-të në minutën e 39-të me anë të Berat Ramadanit.

Në ndeshjen e fundit të grupit parakualfikues, Maqedonia do të përballet me Lituaninë, skuadër kjo që sot mundi Bullgarinë me rezultatin 3:0.

Ndeshja në fjalë në program është me datë 12 prill me fillim në ora 16:00, ndërsa Maqedonisë do ti mjaftonte edhe një barazim për të siguruar pozitën e parë në grupin “C”. (infOSport.mk)

Leave a Reply