Maqedonia U16 e udhëhequr nga Iseini, pësoi disfatë nga Turqia

Përfaqësuesja U16 e Maqedonisë pësoi disfatën e dytë në kuadër të turneut zhvillimor, i cili po mbahet në Strumicë nën patronazhin e UEFA-s.

Këtë herë, të besuarit e trajnerit Ilami Iseini u mundën nga Turqia me rezultatin e thellë, 4:0.

Mysafirët kaluan në epërsi që në minutën e 11-të pas një gabimi të mbrojtësit Mitko Stojanov dhe reagimit të dobët të portierit Iljan Memetit. Nuk vonoi shumë dhe në minutën e 17-të, turqit dyfishuan epërsinë e tyre falë golit të shënuar nga Idvan Harman, futbollistë që ky në minutën e 29-të shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Turqinë.

Deri në fund të pjesës së parë, Maqedonia pati një mundësi të artë të shënonte golin e nderit përmes Dardan Ademit, mirëpo goditja e tij përfundoi në rivënie fundore skaj shtyllës pingule.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, Maqedonia U-16 humbi dy raste për të shënuar në vetëm gjashtëdhjetë sekonda.

Në minutën e 57-të, Stefan Ristiq tentoi që të shënonte me një parabolë, mirëpo nuk i’a arriti qëllimit, ndërsa në aksionin e rradhës Veleski gjuajti në mënyrë të shkëlqyer nga kufiri i zonës së penalltisë, por portieri turk reagoi shkëlqyeshëm dhe nuk lejoi që topi të përfundonte në rrjetë.

Dhe kur nuk shënon, pason dënimi. Kështu në minutën e 67-të Turqia U16 shënoi edhe golin e katërt, këtë herë me autorë Berat Kadir Javuz.

Pak para fundit të ndeshjes, Ristiq tentoi edhe njëherë tjetër për të gjetur rrjetën kundërshtare, por pa sukses, ashtu që në fund rezultati përfundimtarë doli të jetë, 4:0 në favor të Turqisë.

Në ndeshjen e dytë të raundit final të turneut zhvillimor në Strumicë, Uzbekistani shënoi fitore 3:2 kundër Irlandës së Veriut.

Leave a Reply