Shorti i hedhur sot në Nyon të Zvicrës për raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës ka përcaktuar kundërshtarët e mundshëm të skuadrave përfaqësuese të vendit tonë, Shkëndijës, Sileksit dhe Vardarit, gjithnjë nëse këta të fundit nuk arrijnë të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në Ligën e Kampionëve.
Kësisoj, nëse kuqezinjtë nga Tetova, eliminojnë Europa FC nga Gjibraltari në raundin e parë, atëherë në fazën e radhës do të përballen me skuadrën sllovene të NK Bravo.
Bëhet fjalë për një skuadër relativisht të re në futbollin slloven, e themeluar në vitin 2006, derisa kjo do të jetë hera e dytë që do të luajnë në Evropë.
Ndërkohë rast se Sileksi eliminon ekipin bjellorus të Dinamo Minsk, në raundin e dytë të garave në Ligën e Konferencës do të përballet me skuadrën e Neftçi nga Azerbejxhani.
Kundërshtarin e mundshëm në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, e ka mësuar edhe Vardari. Në rast se skuadra shkupjane nuk arrinë të eliminojë ekipin finlandez të Kups në raundin e parë të Ligës së Konferencës, atëherë automatikisht kjo skuadër do të luante në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, aty ku për kundërshtarë do të kishte skuadrën që do të pësonte disfatë në përballjen midis Ararat nga Armenia dhe Riga nga Letonia. (infOSport.mk)
