Struga TL-Sileksi, Diako: Të vazhdojmë serinë e fitoreve si vendas

Struga Trim Lum të hënën kundër Sileksit do të zhvillojë ndeshjen e 19-të kampionale dhe gjithsej të 21-të në histori. Edicionin e kaluar që të trija ndeshjet mes këtyre dy skuadrave prodhuan gola, ndërsa epilogu përfundimtarë ishte dy fitore për Struga Trim Lum dhe një për Sileksin.

Ndeshja e fundit mes tyre, ishte ajo e 27 prillit të këtij viti, kur falë golave të shënuar Maudo Jarjue dhe Hristijan Maleski, Struga Trim Lum kishte shënuar fitore 2:0.

Mbetet të shihet nëse skuadra strugane mund të përsëris një rezultat të tillë edhe të hënën, duke pasur parasysh se në tre ndeshjet e deritanishme kjo skuadër ka regjistruar fitore 1:0 ndaj Vardarit, 3:0 kundër Shkëndijës së Haraçinës dhe 4:0 kundër Bregallnicës.

Një fitore 2:0, me siguri se do ishte e mirëseardhur për skuadrën e trajnerit Bledi Shkëmbi.

“I gjithë ekipi është shumë i motivuar për këtë ndeshje. E dimë që po luajmë kundër një rivali të drejtpërdrejtë, kështu që jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Do të japim gjithçka që kemi dhe do të bëjmë çmos për të marrë tre pikët në shtëpi.” – tha Lassana Diako në prag të ndeshjes me Sileksin.

Dëshira e Diakos është që si skuadër të vazhdojnë serinë e fitoreve në ndeshjet në shtëpi, aty ku Struga Trim Lum numëron 3 fitore nga po aq ndeshje, pa asnjë gol të pranuar.

“Çdo ndeshje është ndryshe. Do të përpiqemi ta vazhdojmë këtë seri të mirë në shtëpi, por e dimë që duhet të qëndrojmë të përqëndruar që nga minuta e parë deri në fërshëllimën e fundit.”

“Varet nga ne të vazhdojmë këtë seri të mirë në shtëpi. Duhet të qëndrojmë të përqëndruar nga fillimi deri në fund dhe të japim më të mirën në fushë. Shpresojmë të marrim tre pikët.” – deklaroi Diako, që terrenin vendas e sheh si përparësi kundër Sileksit. Ai thotë se me mbështetjen e tifozëve, Struga Trim Lum mund të arrijë deri tek fitorja e rradhës.

“Mendoj se avantazhi ynë është që po luajmë në shtëpi. Kemi pasur rezultate të mira këtu dhe i dimë cilësitë tona. Do të përpiqemi të shfrytëzojmë mbështetjen e tifozëve tanë dhe të japim gjithçka për të fituar ndeshjen.” – përfundoi Lassana Diako, që kundër Sileksit nesër pritet të zhvillojë ndeshjen e katërt.

Ndryshe, deri më tani francezi Diako me fanellën e Struga Trim Lum numëron plotë 35 ndeshje, përfshirë këtu edhe dy ndeshje në kuadër të Kupës.

 

Leave a Reply