Struga Trim Lum mund edhe Sileksin, i afrohet Shkëndijës në renditje! (VIDEO)

Struga Trim Lum ka vazhduar serinë pozitive të rezultateve kur janë në pyetje ndeshjet si vendas. 4 ndeshje, 4 fitore, mbi të gjitha pa asnjë gol të pranuar, bën që Struga Trim Lum të shfrytëzoj në maksimum terrenin vendas dhe pas 6 xhirove të para të figurojë lartë në renditje.

Sileksi ishte viktima e rradhës. Edhe përkundër dominimit total në zotërimin e topit për gjatë 90 minutave, në ndeshjen ndaj kundërshtarit nga Kratova skuadrës së Struga Trim Lum i mjaftoi vetëm një gol, i realizuar në pjesën e dytë nga Lassana Diako.

Ndeshja doli të jetë shumë e fortë dhe jo aq e bukur për syrin e shikuesit, pasi nuk është se prodhoi shumë raste për gol.

Ndër rastet që duhet veçuar gjatë pjesës së parë, është ai i Marjan Radeskit, goditjen e të cilit portieri mysafir me gishtërinjtë e tij e devijoi në rivënie nga këndi, duke mos lejuar gëzimin e sulmuesit të Struga Trim Lum.

Edhe pjesa e dytë me pasqyrë të njëjtë, me Struga Trim Lum që zotëronte topin dhe që bënte presion të vazhdueshëm drejt portës mysafire, e ku si rezultat në minutën e 59-të shënuan golin e avantazhit dhe njëherit të fitores.

Pas një harkimi nga rivënia e këndit në shtyllën e parë, Radeski tentoi me kokë, mirëpo gëzimin e tij e ndali mbrojtësi i Sileksit Shubert, që devijoi topin vetëm deri te këmbët e Lassana Diako, i cili nuk fali dhe nga afërsia shënoi për 1:0.

Edhe pas këtij goli, skuadra strugane vazhdoi presionin, mirëpo këtë herë me një intenzitet më të ulët, ndërsa kjo bëri që Sileksi të përfitoj terren dhe të rrezikoj më seriozisht me anë të rezervistit, Matej Gesarov, i cili goditi traverzën.

Struga Trim Lum fare në fund, në minutat shtesë mund të gjente edhe golin e dytë, mirëpo rezervisti Florian Roçi nuk shfrytëzoi aksionin e bukur të skuadrës nga krahu i djathtë, e në veçanti harkimin e bukur të Arbi Voshës, duke goditur shumë dobët me kokë.

Pas 6 xhirove të kaluara, Struga Trim Lum me 13 pikë të tubuara renditet në pozitën e dytë, me vetëm dy pikë më pak se skuadra kryesuese e Shkëndijës së Tetovës.

Leave a Reply