Besart Ibraimi flet për përgatitjet, ndeshjet kontrolluese dhe rivalin në Champions

Besart Ibraimi, golashënuesi më i mirë i skuadrës sw Struga Trim Lum, por njëherit edhe më i miri i sezonit të kaluar, ka folur rreth fazës së përgatitjeve tw skuadrws strugane, ndeshjet kontrolluese si dhe rivalin e parë në kuadër të kualifikueseve të Ligës së Kampionëve, Zhalgiris.

Pikërisht përvoja e tij, por edhe epiteti i golashënuesit më të mirë nga Maqedonia në garat europiane, bënë që Struga Trim Lum të shpresojë shumë te ky futbollistë, i cili beson se me pak fat mund të eliminojnë kampionët e Lituanisë, që më pas të shpresojnë edhe tek grupet e Ligës së Konferëncës.

Faza e përgatitjeve….

“Përgatitjet kanë ecur mirë, gjithçka është në nivel dhe sipas planit. Besoj se jemi përgatitur mirë, ndërsa mbi të gjitha gëzon fakti se asnjë prej lojtarëve nuk është ankuar në ndonjë lëndim.”

Ndeshjet kontrolluese….

“Në të dyja ndeshjet treguam lojë të mirë, lojë cilësore. Besoj se edhe trajneri ka mbetur i kënaqur me ne. Sot kemi edhe një ndeshje tjetër, atë kundër Tiranës. Besoj të shfaqemi mirë edhe në këtë ndeshje, ku shpresoj të ketë një loj fer dhe korrekte, pa starte të ashpëra, pasi që të dyja skuadrave na presin ndeshjet europiane.”

Ndikimi i këtyre ndeshjeve….

“Normalisht që kanë ndikuar pozitivisht, pasi përballë deri më tani kemi pasur kundërshtarë të fuqishëm, dy skuadra kampione, ashtu që shpresoj të njëjtat të na ndihmojnë për atë që na pret, ndeshjet europiane, ku kërkohet edhe dyfishi më shumë ndoshta. Besoj te grupi, dhe them që do japim 200% në garat europiane, pasi nëse nuk bëjmë një gjë të tillë, atëherë vështirë që mund të shpresojmë për një pranverë më të gjatë në Europë.”

Zhalgiris….

“Luajmë kundër një skuadre që vitin e kaluar luajti në grupet e Ligës së Konferencës. Trajneri bashkë me stafin e tij po e analizojnë thuajse çdo ditë kundërshtarin. E dimë që do të jetë e vështirë, por besoj se me një angazhim maksimal të të gjithë ekipit, në fund do i’a dalim. Rezultati i ndeshjes së parë është shumë i rëndësishëm, ashtu që shpresoj të dalim mirë në ndeshjen në Lituani, për të shpresuar tani më shumë në ndeshjen e kthimit në Ohër.”

Sezoni i ri, Europë-LPFMV

“Ky sezon do të jetë më ndryshe, pasi e nisim me skuadra të fuqishme. Në Europë nuk ka më kundërshtarë të lehtë, ashtu që besoj se do të jetë një plus për ne më pastaj për ndeshjet kampionale. Shpresojmë të mos kemi lëndime, pasi rrugëtimi i jonë mund të jetë i gjatë, ashtu që duhet menduar për më shumë rotacione në skuadër, por ndoshta edhe përforcime të  reja, në rast se na ecën mbarë në Europë. Nëse ndodh një gjë e tillë, normal që do na rriten apetitet edhe më shumë edhe për në kampionat, aty ku tashmë futemi me epitetin e kampionit dhe me siguri se do ta kemi më të vështirë. Megjithatë besoj te grupi, besoj te trajneri dhe te e gjithë Struga Trim Lum, pasi neve funksionojmë si familje dhe pikërisht këtu kemi përparësinë ndaj ekipeve tjera.”

Leave a Reply