Rej Manaj dhe Valon E’themi dolën të jenë protagonistë kryesor në fitoren 4:1 të Sivaspor ndaj Sakaryaspor në ndeshjen e vlefshme të javës së 27-të në Ligën e dytë turke, njofton “infOSport.mk”.
Kjo dyshe, realizoi 3 nga 4 golat e Sivaspor, ashtu që me plotë të drejtë mund të thuhet se kjo fitore në fund doli të jetë me aromë shqiptare.
Ishte Valon E’themi që shënoi golin e parë të takimit, edhe atë pas asistit të Rej Manaj, i cili dhuroi edhe një tjetër paraqitje të shkëlqyer, prej kur se vendosi ti bashkohet sërish ish skuadrës së tij të Sivaspor.
Okan Erdogan në minutën e 16-të ngriti epërsinë e Sivaspor në 2:0, derisa vetëm 5 minuta më vonë sërish në skenë doli tetovari E’themi, duke shënuar edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Sivaspor.
Salih Dursun tentoi të rikthejë Sakaryaspor në lojë, me një gol tjetër të shënuar në pjesën e parë që ishte mjaft efikase, megjithatë shpresat e ekipit mysafir i shuajti shqiptari tjetër, Rej Manaj me një gol të shënuar në minutën e 92-të.
Për reprezentuesin e Shqipërisë ishte ky goli i tretë në katër ndeshje të zhvilluara me fanellën e Sivaspor, ndërsa në anën tjetër E’themi numëron 5 gola në 20 ndeshje.
Pas kësaj fitoreje, Sivaspor renditet në pozitën e 14-të me 35 pikë, larg pozitave të rrezikuara. (infOSport.mk)
