Rabotniçki ka shënuar fitore 2:1 në transfertën në Kumanovë kundër Bashkimit, duke rritur gjasat për mbijetesë në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.
Edhe njëherë tjetër për “romantikët” në listën e golashënuesve u regjistrua Suhel Muharemi, duke konfirmuar formën e mirë në të cilën ndodhet.
Muharemi shënoi golin e epërsisë në minutën e 11-të. Për Muharemin ishte ky goli i tretë sezonal, që erdhi në një moment shumë të rëndësishëm për skuadrën e Rabotniçkit, që me këto tre pikë mban hapin me skuadrat tjera, me të cilat deri në fund do të luftojë për mbijtesë.
Me golin e Muharemit u mbyll pjesa e parë në Kumanovë, ndërsa falë golit të Martin Talakov në minutën e 73-të Rabotniçki shënoi edhe golin e dytë.
Bashkimi me anë të Avornyo tentoi të rikthehet në lojë, mirëpo goli i ganezit në fund doli të vlejë vetëm për statistikë, pasi skuadra “zigjelbër” nuk arriti të shënojë ndonjë gol tjetër deri në fund të takimit.
Për Bashkimin ishte kjo disfata e 5-të sezonale dhe e dyta në Kumanovë, pas asaj ndaj Struga Trim Lum në pjesën e parë të sezonit aktual.
Në ndeshjen tjetër të javës së 23-të, Sileksi dhe Pelisteri barazuan pa gola. Skuadra nga Kratova me këtë barazim thuajse po e humb garën për tre pozitat e para, ndërsa Pelisteri do ta ketë shumë të vështirë për të mbijetuar, kjo pasi tashmë edhe Rabotniçki ju qëndron shumë pranë me vetëm 3 pikë më pak. (infOSport.mk)
