Intervistë ekskluzive me gardianin hero të Shkëndijës së Haraçinës, Antonio Stolevski!

Antonio Stolevski pa dyshim se ishte një ndër më të merituarit, apo më mirë thënë më i merituari për suksesin historik të Shkëndijës së Haraçinës, skuadër kjo që të dielën në ndeshjen e balotazhit për inkuadrim në Ligën e Parë, mundi Pelisterin e madh, duke shkruar historinë më të lavdishme të klubit nga Harçina legjendare.

Stolevski ishte figura kryesore e takimit, ndërsa një gjë të tillë ai dëshmoi që gjatë kohës së rregullt me intervenimet e tij të sigurta, e ku si kulminacion erdhi pritja e penaltisë së kapitenit të “gjelbërve” nga Manastiri, Mirko Ivanovski në minutën e 65-të.

Mirëpo kjo nuk ishte e tëra, pasi Stolevski, arriti të pres edhe tre penalti të tjera në ruletin e penaltive, me njërin prej tyre që u përsërit, mirëpo që në fund shtyu frikën deri tek futbollistët kundërshtarë, që nuk i’a dolën përballë heroit të takimit, që thjesht kishte ditën e tij më të mirë.

Rreth gjithë asaj që ndodhi në fushën e blertë në Kavadar, por edhe pas saj, përfshirë këtu edhe festën e madhe kuqezi në Haraçinë, “infOSport.mk”, zhvilloi një intervistë më të zgjeruar me Antonio Stolevskin, i cili në prononcimin e tij ekskluziv për faqen tonë, tha se do të vazhdojë të shkruaj histori me Shkëndijën e Haraçinës.

  • Si ndjeheni sot, pas gjithë asaj që bëtë në ndeshjen kundër Pelisterit. Gjithsej 4 penalti të pritura, përfshirë këtu edhe atë në kohën e rregullt dhe penaltinë e përsëritur nga ana e Kire Risteskit. Si arritët të bëni një gjë të tillë?

“Ndjesia është shumë e mirë, ende nuk jam i vetëdijshëm për atë që kam bërë. I falënderohem Zotit për këtë sukses, dhe mund të them se fati gjithmonë i ndjek njerëzit e ndershëm dhe të guximshëm. Këto penallti u analizuan shumë mirë së bashku me trajnerin tim Stefan Jakimovski, me të cilin u përgatitëm shumë mirë, dhe në fund ia dolëm mbanë.”

  • Në fund me plotë meritë fituat epitetin e lojtarit të ndeshjes, apo më mirë thënë epitetin “HERO” i Shkëndijës së Haraçinës. Sa jeni i kënaqur me gjithë këto epitete?

“Sinqerisht jam shumë i kënaqur me gjithçka që ndodhi gjatë dhe pas ndeshjes. Nuk jam i vetmi hero i takimit të balotazhit, thjeshtë të gjithë e meritojmë këtë sukses historik, nga i pari deri te i fundit.”

  • A patët stërvitje të posaçme me penaltitë para ndeshjes vendimtare kundër Pelisterit?

“Nuk është se kam stërvitur penalltitë në ndonjë mënyrë të veçantë. Gjithçka ndodhi në vendin e ngjarjes, pra në fushë, aty ku mjaft mirë arrita ti analizojë lojtarët e Pelisterit, me mënyrën se si pozicionoheshin para se të godisnin.”

  • Nga Slloga e Vinicës te Shkëndija e Haraçinës për histori. Si duket nuk gabuat kur pranuat të jeni pjesë e kësaj skuadre?

“Duket se nuk kam gabuar me përzgjedhjen time. Unë çdoherë jam i gatshëm për sfida të reja, dhe e dija që po vija në një klub që dëshiron të hyjë në ligën e parë. Mund të them se që nga dita e parë, që nga fillimi, u prita në mënyrën më të mirë të mundshme, thjeshtë si në shtëpinë time, ashtu që sinqerisht e respektoj këtë shumë.”

  • Gjatë festës në Haraçinë të gjithë njëzëri e thonin emrin tënd. Si ndjeheshe Antonio në ato momente në Haraçinë, por gjithsesi edhe në Kavadar, atëherë kur juve ishit në qendër të vëmendjes?

“Sigurisht që ndjesia ishte shumë e mirë, kishte shumë emocione. Kur mbërritëm në Haraçinë, ishte diçka spektakolare, diçka që vërtet nuk mund të përshkruhet me fjalë. Kjo është diçka historike, për të cilën klubi ka pritur për gati 50 vite, dhe unë jam vërtet shumë krenar për gjithçka që kam bërë, dhe që emri im do të jetë përgjithmonë pjesë e këtij suksesi historik të Shkendijës së Haraçinës.

  • Tanimë ju pret Liga e Parë. Besojmë se së bashku do të vazhdoni të shkruani histori me Shkëndijën e Haraçinës. Si pjesë e këtij suksesi historik të skuadrës, çfarë do kërkonit, apo do i porosisnit tifozët e Shkëndijës në sezonin debutues në mesin e më të mirëve në futbollin vendor?

“Shpresoj që do të vazhdoj të shkruaj histori me këtë klub. Tani na pret një ligë shumë më cilësore, kemi luajtur disa ndeshje të tilla me ekipie të ligës së parë dhe mendoj se i’a dolëm shumë mirë ndaj tyre. I këshilloj tifozët të vazhdojnë të bëjnë tifo për këtë klub, sepse Shkendija me të vërtetë meriton të ketë tifozë të tillë, të cilët janë gjithmonë me klubin dhe së bashku për të shkruar historinë. Sinqerisht, ka njerëz këtu që e duan vërtet futbollin dhe jetojnë me futbollin. Futbolli në Maqedoni ka nevojë për njerëz dhe punëtorë sportivë të tillë.”

Leave a Reply