KF Arsimi po tregohet mjaft aktiv në merkaton verore në prag të sezonit 2026/27, që do të jetë i dyti për këtë skuadër në historikun e tyre në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, shkruan “infOSport.mk”.
Në orët e mbrëmjes së kaluar, drejtuesit e skuadrës nga Çegrani prezantuan mesfushorin nigerian Ibrahim Olaosebikan, që deri dje ishte pjesë e Vardarit.
Edhe pse të njëjtin drejtuesit e skuadrës kampione të vendit dëshironin ta huazonin te skuadra tjetër shkupjane e FK Skopjes, deri te një gjë e tillë nuk erdhi, pasi në moment të fundit në skenë dolën drejtuesit e KF Arsimit që bindën 26-vjeçarin për të veshur fanellën “verdhezi”.
Olaosebikan bëhet kështu përforcimi i 5-të për ekipin nga Çegrani, që më parë ka prezantuar edhe italianin, Salvatore Ribaudo, pastaj Lorik Jakupin, Gjorgji Doshev dhe Ivan Gligorov.
Megjithatë, kjo nuk është e tëra, pasi siç mëson ekskuzivisht “infOSport.mk”, drejtuesit e KF Arsimit, që po bëjnë një punë të shkëlqyer me në krye Presidentin Amir Bilali, Drejtorin Gjeneral, Ramadan Saliu dhe Astrit Jasharin në rolin e kryetarit, në ditët në vijim pritet të prezantojnë së paku edhe 2-3 përforcime që vijnë nga jashtë kufijve të vendit tonë.
Bëhet fjalë për dy sulmues të spikatur dhe një mbrojtës, që do përforconin ndjeshëm skuadrën e KF Arsimit në prag të sezonit futbollistik 2026/27, që starton me datë 25 korrik.
Ndeshjen e parë të sezonit të ri, KF Arsimi do ta zhvillojë kundër Tikveshit në Kavadar. (infOSport.mk)
