FFM vjen me një njoftim lidhur me rastet e dyshimta që ndodhën në ndeshjen Shkëndija H.-KF Arsimi

Në ndeshjen e xhiros së katërt të Ligës së Parë të Maqedonisë, e zhvilluar në stadiumin e Çairit mes ekipeve KF Shkëndija Haraçinë dhe KF Arsimi, u vunë re dy situata kyçe dhe veçanërisht sfiduese për vlerësim gjyqësor.

Në të dy rastet arbitri kryesor Dimitar Pileshkov mori vendime plotësisht të sakta, të cilat pas kontrolleve të kryera sipas protokollit të VAR-it dhe vijës së përcaktuar për ndërhyrje, u konfirmuan saktë edhe nga arbitrët e VAR-it.

Në minutën e 43‑të të ndeshjes, sulmuesi i ekipit vendas me numër 30, gjatë depërtimit në zonën e penalltisë së skuadrës mysafire, ishte i kthyer me shpinë nga porta kundërshtare dhe pa kontroll të plotë mbi topin.

I vetëdijshëm për praninë e mbrojtësit me numër 16, sulmuesi shfrytëzoi kontaktin minimal, e teproi ndikimin e tij dhe u përpoq të nxjerrë penallti. Arbitri kryesor ndodhej shumë afër, kishte kënd të qartë shikimi dhe kontroll të plotë mbi situatën, ndaj me të drejtë vlerësoi se kontakti nuk përbënte ndërhyrje për penallti dhe lejoi lojën të vazhdojë.

Pas verifikimit të kryer nga VAR-i, sipas protokollit dhe kritereve për ndërhyrje, u konstatua saktë se vendimi i arbitrit kryesor nuk përbënte gabim të qartë dhe të dukshëm. Për këtë arsye, nuk kishte bazë për ndërhyrje nga VAR-i, ndërsa vendimi fillestar mbeti plotësisht i justifikuar.

Rasti i dytë sfidues ndodhi në minutën e 82‑të, në pjesën anësore të zonës së penalltisë së skuadrës mysafire. Pas një topi të dërguar nga krahu para portës, mbrojtësi me numër 16 u përpoq të bllokonte drejtimin e tij me një lëvizje natyrale futbollistike të trupit. Topi goditi dorën e lojtarit, e cila ishte në pozicion natyral, afër trupit. Lojtari nuk e lëvizi dorën drejt topit, as nuk kishte veprim që sipas rregullave të lojës së futbollit do të konsiderohej si lojë e dënueshme me dorë.

Edhe në këtë rast arbitri kryesor vlerësoi me të drejtë se nuk kishte të bëjë kjo me ndonjë penallti. Pas verifikimit të kryer nga VAR-i, sipas protokollit dhe vijës së përcaktuar për ndërhyrje, vendimi i tij u konfirmua i saktë.

Federata e Futbollit e Maqedonisë thekson se këto dy vendime të arbitrit, ashtu si çdo vendim tjetër i marrë gjatë një ndeshjeje, nuk mund dhe nuk duhet të shërbejnë si justifikim apo alibi për sjellje josportive, jokorrekte, vulgare, agresive apo çfarëdo sjelljeje tjetër të palejuar.

Veçanërisht të papranueshme janë veprimet fizike të drejtuara ndaj lojtarëve kundërshtarë dhe përfaqësuesve të ekipit mysafir, si edhe fyerjet, kërcënimet dhe sulmet verbale ndaj arbitrëve dhe zyrtarëve të tjerë të ndeshjes.

Njëkohësisht, janë konstatuar edhe mangësi serioze organizative. Një sjellje e tillë është në kundërshtim me rregulloret dhe dispozitat dhe nuk duhet e nuk do të tolerohet.

Për të gjitha ngjarjet do të shqyrtohen raportet e zyrtarëve, pas së cilës organet kompetente të FFM-së do të veprojnë në mënyrë strikte, formale dhe plotësisht në përputhje me rregulloret në fuqi

Përgjegjësia për një sjellje të tillë nuk mund të relativizohet, as të hidhet mbi arbitrët përmes kontestimit të vendimeve të marra në mënyrë të drejtë. Çdo rezultat, përfshirë edhe çdo humbje, duhet të analizohet në mënyrë objektive dhe të pranohet me sportivitet dhe me dinjitet. Kjo pritet veçanërisht nga përfaqësuesit e klubeve dhe nga lojtarët, të cilët me sjelljen e tyre kanë përgjegjësi shtesë për të mbrojtur integritetin e garës dhe reputacionin e futbollit të Maqedonisë.

FFM-ja ka qenë dhe do të mbetet plotësisht transparente në lidhje me analizën profesionale dhe saktësinë e vendimeve gjyqësore kyçe. Prandaj, ftojmë publikisht një nga përfaqësuesit e autorizuar të KF Shkëndija Haraçinë që të vizitojnë qendrën VAR të FFM-së, ku do të ju prezantohen dhe shpjegohen në mënyrë profesionale të dyja situatat, bazuar në rregullat e lojës së futbollit, protokollin VAR dhe kriteret zyrtare për vlerësim dhe ndërhyrje gjyqësore.”

Faktet dhe rregullat janë e vetmja bazë relevante për vlerësimin e vendimeve gjyqësore, e jo emocionet, presionet apo interpretimet subjektive të shkaktuara nga rezultati përfundimtar.

Leave a Reply