FFM, avancimi sistematik në zhvillimin dhe edukimin e personave zyrtarë

Kur vlerësohet puna e një sistemi, më e rëndësishme është të shihet çfarë ka ndryshuar në mënyrën e funksionimit të tij, çfarë kushtesh janë krijuar dhe çfarë rezultate prodhon.

Veçanërisht në futboll, ku një vendim apo një ndeshje nuk mund të jenë masa e vetme për cilësinë e gjithë sistemit.

Në dy vitet e fundit jo të plota, Federata e Futbollit e Maqedonisë ka bërë ndryshime të rëndësishme në segmentin e zyrtarëve, me një qëllim të qartë: vendosjen e standardeve më të larta, kritereve më të qarta, konkurrencës më të madhe, kushteve më të mira për punë, edukim dhe ndjekje objektive të performancës.

Procesi i përfshin arbitrët, asistentët e tyre, delegatët, kontrollorët, sektorin e fitnesit dhe edukatorët. Qëllimi është krijimi i një sistemi ku përparimi lidhet drejtpërdrejt me cilësinë, dijen, përgatitjen fizike dhe vazhdimësinë në punë.

Teknologji dhe qasje individuale

Në këtë proces, teknologjia është një instrument i rëndësishëm. Në FFM-ë është implementuar një qendër moderne VAR, janë futur pajisje të reja dhe sisteme komunikimi, ndërsa me pajisjet “Garmin” mundësohet ndjekja e vazhdueshme e stërvitjes dhe ngarkesës fizike të arbitrëve.

Hapi i radhës është futja e sistemit “VALD Performance”, me të cilin përgatitja fizike ngrihet në një nivel edhe më të lartë. Në vend që fokusi të jetë vetëm në përmbushjen e normativave të testeve të fitnesit, mundësohet profilizim individual përmes matjes së forcës, eksplozivitetit, aftësive neuromuskulare dhe asimetrive të mundshme.

Thelbi i qasjes moderne nuk është vetëm të përcaktohet nëse arbitri është i përgatitur, por të dihet se si mund të jetë edhe më mirë i përgatitur.

Më shumë konkurrencë dhe një rrugë e qartë për përparim

Pas më shumë se një dekade është bërë ndarja e listave të arbitrëve për Ligën e Parë dhe të Dytë të Maqedonisë. Kjo nuk është vetëm një ndryshim administrativ, por një hap drejt një strukture më të qartë dhe konkurrencës më të madhe, ku vendi dhe emri në listë konfirmohet përmes cilësisë, dijes dhe vazhdimësisë.

E njëjta logjikë është zbatuar edhe te delegatët, ndërsa në futsall për herë të parë janë futur kontrollorë të gjykimit, një mekanizëm që mundëson vlerësim profesional dhe të pavarur të punës së zyrtarëve.

Theksi i veçantë është vendosur edhe në zhvillimin e arbitrëve të rinj. Pas gati 20 vitesh është organizuar sërish një seminar i veçantë për arbitrët e rinj dhe të talentuar nga ligat rajonale, me qëllim që potenciali i tyre të njihet që më herët, të ndiqet në mënyrë sistematike dhe të zhvillohet gradualisht. Një pjesë e pjesëmarrësve tashmë janë avancuar në listat e Ligës së Dytë të Maqedonisë.

Rezultate që janë konfirmuar edhe jashtë Maqedonisë

Ndryshimet në sistemin dhe kushtet e punës janë shoqëruar edhe me rezultate konkrete në nivel ndërkombëtar.

Në më pak se dy vite, FFM-ja ka fituar dy vende shtesë në listën e FIFA‑së për arbitrët asistentë, me mundësi reale për një vend shtesë edhe për arbitrin kryesor. Për herë të parë në një ndeshje evropiane patëm edhe një arbitër nësistemin VAR nga Maqedonia.

Numri i kontrollorëve ndërkombëtarë të gjykimit është rritur nga dy në pesë, ndërsa numri i delegatëve të UEFA‑së nga katër në pesë. Kjo paraqet një rritje të konsiderueshme të pranisë së personave zyrtarë nga Maqedonia në listat e FIFA‑s dhe UEFA‑s.

Për herë të parë kemi edhe një zyrtar nga Maqedonia në një pozicion udhëheqës në UEFA, me përgjegjësi për përgatitjen fizike të arbitrëve elitarë, si dhe një person në cilësinë e drejtorit organizativ të ndeshjeve dhe një komisar për siguri në ndeshjet e UEFA‑së.

Veçanërisht e rëndësishme është që një numër i madh arbitrësh asistentë nga Liga e Parë e Maqedonisë, gjatë periudhës së kaluar, kanë pasur mundësinë të jenë pjesë e ndeshjeve evropiane. Diçka që më parë ishte një mundësi shumë e rrallë.

Kjo përvojë është e pamundur të simulohet plotësisht në një sallë për edukim. Një ndeshje ndërkombëtare nënkupton intensitet të ndryshëm, stile të ndryshme loje, atmosferë tjetër dhe kërkesa të reja. E gjithë kjo krijon përvojë që më pas rikthehet sërish në kampionatin vendas.”

Dhe kështu sistemi zhvillohet

Kualiteti që zyrtarët tanë tregojnë çdo fundjavë në garat vendore është një mundësi dhe njëherit rekomandim i mirë për të marrë pjesë në skenën evropiane. Ndërsa paraqitja e suksesshme në garat e UEFA‑së nuk është vetëm afirmim i emrit të tyre, por edhe një dëshmi për cilësinë e futbollit në Maqedoni në tërësi.

Emrat e atyre që e arritën atë sukses janë emra mirë të njohur për opinionin futbollistik. Por thelbi nuk qëndron te promovimi individual, por te njohja e përparimit sistemik që qëndron pas çdo hapi të tillë.

Sigurisht, suksesi u takon më së shumti atyre, talentit të tyre, punës së tyre dhe disiplinës së tyre. Por çdo sukses individual ka edhe një vlerë më të gjerë, sepse pas tij duhet të qëndrojë një sistem që di të njohë potencialin, ta zhvillojë dhe të krijojë kushte që ai cilësim të ketë mundësinë të konfirmohet edhe në skenën evropiane.

Mirënjohje e parë dhe e vetme e tillë për gjykimin

Një njohje shumë  e rëndësishme për përparimin e arritur është edhe vizita zyrtare e shefit të arbitrëve të UEFA‑së, Roberto Rosetti, në Shtëpinë e Futbollit vendor, ku u mirëprit nga Komisioni i arbitrëve pranë FFM-së.

Kjo ishte vizita e parë, dhe njëkohësisht e vetmja, e shefit të arbitrëve të UEFA‑s në Maqedoni që nga anëtarësimi i FFM‑së në organizatën evropiane të futbollit.

“Ky fakt ka një peshë të veçantë. Vizitat e tilla nuk janë të rastësishme dhe nuk janë vetëm pjesë e protokollit të zakonshëm. Ato janë tregues se puna, ndryshimet dhe zhvillimi i sistemit janë njohur edhe përtej kufijve tanë.

Andaj vizita e Roberto Rosettit nuk duhet të shihet vetëm si një ngjarje e rëndësishme në vetvete, por si një njohje që organizata e arbitrëve të Maqedonisë është pjesë e një procesi që është i dukshëm edhe në nivel evropian.

Standardet duhet të bëhen edhe rregull

E gjithë kjo nuk do të thotë se sistemi është i përfunduar ose se nuk ka hapësirë për përmirësim. Përkundrazi, rezultatet e arritura krijojnë një detyrim edhe më të madh që standardet të jenë edhe më të larta.

Organizimi më i mirë dhe kapacitetet teknike duhet të sjellin përgatitje më të mirë. Konkurrenca më e madhe duhet të sjellë performanca më të mira. Edukimi duhet të shndërrohet në vendimmarrje më cilësore në fushë.

Prandaj përparimi nuk duhet të matet vetëm sipas numrit të pajisjeve të reja, listave të reja apo angazhimeve ndërkombëtare. Vlera e vërtetë qëndron nëse ato investime krijojnë një proces më të mirë, konkurrencë më të madhe, hapin rrugë për gjyqtarë të rinj dhe, në fund rezultojnë me cilësi më të lartë të garës.

Në këtë kuptim, faktet janë masa më e mirë.

Janë krijuar kushte të reja. Janë vendosur standarde të reja. Janë hapur mundësi të reja. Një pjesë e rezultateve tashmë janë konfirmuar në nivel ndërkombëtar.

Hapi i ardhshëm është që ato standarde të bëhen edhe rregull, e jo përjashtim. Qëllimi nuk është të dëshmohet se sistemi është i përsosur. Qëllimi është që çdo sezon vijues të jetë më i mirë se ai i mëparshmi.

 

Leave a Reply